Milani s’e meriton Evropën

Mateo Kovacic mendon se Milani nuk e meriton të luajë në Evropë sezonin e ardhshëm para Parmës, e cila sipas tij po luan më mirë. Mesfushori kroat është i bindur se Interi do ta mposht Milanin fundjavën e ardhshme.

Sport

25/04/2014 12:47

Kur ka mbetur pak më shumë se një javë para derbit të madh italian ndërmjet Milanit dhe Interit, tashmë kanë filluar ‘fërkimet’ ndërmjet futbollistëve me deklarata.

Mateo Kovacic, mesfushori kroat i Nerazzurri, e ka thumbuar rivalin e qytetit, duke insistuar se Rossoneri nuk e meritojnë të luajnë në Evropë sezonin tjetër, pas edicionit negativ nëpër të cilin kaluan sivjet, përkundër pesë fitoreve rresht në ndeshjet e fundit.

“Milani është në formë, i ka regjistruar pesë fitore rresht. Por, ne dimë se si t’i mposhtim. Kjo kishte ndodhur edhe në ndeshje ne parë. Parma e Donadonit luan shumë më mirë se Milani, i cili nuk e meriton Evropën”, ka thënë talenti kroat për ‘La Gazzetta dello Sport’.

“Unë jam mirë në Inter. Po mendoj për katër ndeshjet e fundit dhe për Botërorit. Sigurisht, synoj t’i shënoj gol Milanit”, përfundoi Kovacic.