Milani pa fuqi përballë Parmës

Milani është treguar i pafuqishëm në shtëpi në duel me Parmën, nga e cila ka humbur 2:4, në kuadër të xhiros së 27’të në Serie A. Humbja e thellë nga Atletico Madridi në Ligën e Kampionëve duket të ketë lënë pasoja tek Rossoneri, të cilët nuk po arrijnë assesi të këndellen, duke e pësuar humbjen…

Sport

16/03/2014 16:01

Milani është treguar i pafuqishëm në shtëpi në duel me Parmën, nga e cila ka humbur 2:4, në kuadër të xhiros së 27’të në Serie A.

Humbja e thellë nga Atletico Madridi në Ligën e Kampionëve duket të ketë lënë pasoja tek Rossoneri, të cilët nuk po arrijnë assesi të këndellen, duke e pësuar humbjen e katërt rresht.

Por, për t’ia bërë ditën edhe më të keqe ekipit vendës u përkujdes portieri Christian Abbiati, i cili në minutën e gjashtë u ndëshkua me karton të kuq pasi shkaktoi penallti, të cilën më pas në gol e shndërroi Antonio Cassano.

Sulmuesi italian e ngriti epërsinë e mysafirëve në 2:0 në minutën e 51’të. Por, edhe pse me një lojtar më pak, ekipi i Clarence Seedorfit shënoi dy gola, me Adil Rami (57’) e Mario Balotelli nga penalltia (76’).

Mirëpo, kur të gjithë prisnin që Milani ta shënojë golin e tretë, ndodhi e kundërta.  Sulmuesi Amauri doli në skenë, duke e dënuar ekipin vendës, për të shënuar me thembër në minutën e 78’të, për t’ia siguruar një fitore të madhe Parmës, e cila e ngrit atë në pozitën e pestë në tabelë.

Ndërkaq, vulë këtij takimi i dha Jonathan Biabiany, me golin e shënuar në minutën e fundit. Në anën tjetër, Milani zbret në vendin e 11’të. Ndërkohë, Lazio e Lorik Canës dhe Etrit Berishës shënoi fitore në udhëtim ndaj Cagliarit, 2:0.