Milani e pëlqen Nanin

Milani po mendon të bëjë përforcime gjatë verës. Dhe, Rossoneri duket se ia kanë vënë syrin mesfushorit të Manchester Unitedit, Luis Nani.

Sport

04/07/2014 10:31

Milani pritet të bëjë ndryshime në ekip gjatë kësaj vere. Rossoneri e patën një sezon dështues dhe shumë futbollistë mund të largohen nga San Siro.

Por, gjatë afatit kalimtar do të ketë edhe prurje në San Siro. Sipas të së përditshmes italiane, Tuttosport, Milani e ka si prioritet argjentinasin Iturbe. Mirëpo, si alternativë të tij, kuqezinjtë e kanë mesfushorin e Manchester Unitedit, Luis Nani.

Milani e kishte kërkuar përfaqësuesin portugez edhe gjatë janarit, por tash duket më i vendosur për ta transferuar.

Trajneri i ri i Djajve të Kuq, Louis van Gaal nuk llogarit në Nanin dhe kjo mund të jetë një lehtësi për Rossoneri që ta marrin atë, por fillimisht duhet t’i paguajnë 15 milionë euro. Mirëpo, problemi kryesor është rroga e lojtarit. Ai merr afro 4 milionë euro tek United, që konsiderohen shumë për Milanin.

Gjithashtu, klubi italian i ka në ‘llupë’ edhe Ezequiel Lavezzin e Alessio Cercin. Ky i fundit pëlqehet edhe nga Interi e Roma.