Milan s’ka të ndalur, vjen edhe një përforcim i ri

Milan ka identifikuar një përforcim të ri.

Sport

14/08/2018 12:07

Pavarësisht se sapo zyrtarizoi Tiemoue bakayokon, Milani nuk ka ndërmend të ndalet në merkato dhe është shumë pranë afrimit të një tjetër futbollisti.

Bëhet fjalë për sulmuesin anësor të Villarealit, Samu Castillejo, zyrtarizimi i të cilit është vetëm çështje orësh, pasi është arritur marrëveshja mes klubeve.

Milani do t’i japë Villarealit kartonin e Carlos Baccës dhe do të paguajë verën e ardhshme 18 milionë euro për kartonin e spanjollit. Natyrisht që nga ky operacion Milani mbetet i kënaqur, pasi shpëton nga paga prej 4 milionë eurosh e sulmuesit kolumbian.

Kështu, pas Caldarës në mbrojtje, Bakayokos në mesfushë dhe Higuainit në sulm, dyshjja Leonardo-Maldini do t’i vënë në dispozicion Gattusos edhe një alternativë për Suson dhe Calhanoglunë, në krahët e sulmit, transmeton “SS”.

Ndërkohë, pista Milinkoviç-Saviç mesa duket do të mbetet një ëndërr për kuqezinjtë, që nuk kanë ndërmend të hyjnë në aventurë dhe të shpenzojnë një shifër stratosferike që këtë verë, aq më tepër që skuadra nuk merr pjesë akoma në Champions.