Milan – Inter, derbi i lamtumirave

Duelet mes Milanit dhe Interit janë gjithmonë ballafaqime speciale, por kësaj radhe takimi do të jetë i tillë edhe për një arsye të pazakonshme. Një numër i madh futbollistësh nga të dyja skuadrat do të zhvillojnë derbin e tyre të fundit.

Sport

03/05/2014 12:21

Derbi i qytetit mes Milanit dhe Interit gjithmonë është duel i nxehtë, jashtëzakonisht interesant dhe i rëndësishëm, pavarësisht pozitave të skuadrave në tabelë këtë edicion, larg nga gara për titull e kampionit në Serie A.

Por, kësaj radhe, ballafaqimi i së dielës do të jetë i rëndësishëm edhe për faktin se do të jetë i fundit për një numër të madh futbollistësh, nga të dyja skuadrat. Fillojmë nga ‘vendasit’.

Trajneri Clarence Seedorf ndonëse përmirësoi rezultatet e ekipit pas një pjese të parë të sezonit vërtetë të tmerrshme, mund të largohet nga posti në fund të këtij sezoni, ndërsa do të drejtojë ekipin në derbin e parë nga bankina.

Ky mund të jetë derbi i fundit edhe për Mario Balotellin që spekulohet se mund të largohet nga Milani në fund të këtij sezoni.

Në dyshim është edhe statusi i Leite Kakas. Ylli brazilian kërkohet nga klube nga Major League Soccer dhe vazhdimi i qëndrimit të tij në San Siro fillimisht ishte i lidhur me kualifikimin për në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, objektiv i humbur nga Rossonerët.

Tani është radha e Interit. Pas lamtumirave të Dejan Stankovicit dhe Christian Chivus, ai që do të zhvillojë derbin e fundit, së paku si futbollist, është kapiteni Javier Zanetti, por sipas gjitha gjasave edhe Diego Milito, Walter Samuel dhe Esteban Cambiasso.

Zanetti do të pensionohet në fund të sezonit, ndërsa Milito besohet se do të transferohet në Racing Avellaeda. Kurse, Samuel kërkohet nga Fiorentina.

Cambiasso ende nuk është përcaktuar se çka do të bëjë pas këtij sezoni. Dueli zhvillohet të dielën në ora 20:45 në San Siro.