Mikullovci: Nesër në seancë ju presin dy befasi

Nesër pritet të mbahet përpjekja e katërt për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit për zgjedhjen e krye parlamentarit që do të udhëhiqet nga kryesuesi, deputeti Adem Mikullovci. Ky i fundit po premton befasi për seancën e nesërme nëse Kuvendi arrin që ta bëjë kuorumin e nevojshëm për vazhdimin e seancës.

Lajme

13/08/2017 13:11

Kryesuesi Adem Mikullovci, ka bërë të ditur se seanca e nesërme do të zhvillohet me apo pa koalicionin PAN. Thotë se shpreson se ky i fundit do t’i përgjigjet ftesës për pjesëmarrje në seancë.

Mikullovci i shprehet i vendosur se nuk do të bëjë konsulta ditën e mërkurë ashtu siç ka kërkuar PAN, në takimin konsultativ që u mbajte të mërkurën.

Megjithatë, Mikullovci për Gazetën Express ka treguar se për seancën e nesërme do të ketë dy propozime interesante. Propozime këto të cilat sipas tij, do t’ia mundësonin Kuvendit që të punojë, të paktën një pjesë e tija.

“Nëse nesër kemi kuorum, unë do t’i hap dy tema, por Kuvendi do të punojë, gjysmak, por një pjesë do të punojë, nëse vërtetë ka kuorum. Do të jetë një propozim interesant i një deputeti të LDK’së, ai ma ka kërkuar dhe një temë timen që do ta bëjë publike e që do të jetë befasuese. Gjithmonë nëse kemi kuorum”, ka thënë kryesuesi Mikullovci.

Ndërkohë që ai deklaroi se nuk do të ketë më takime konsultative me liderët e koalicioneve dhe partive tjera. Thotë se të gjithë janë të mirëseardhur në seancën që do të mbahet nesër, e nëse seanca e së hënës dështon, atëherë Mikullovci, paralajmëron një seancë tjetër në ditën e enjte. Mikullovci shprehet se asnjëherë nuk e ka thyer ligjin si dhe ka vepruar në bazë të Kushtetutës së vendit.

“Me rregullore të Kuvendit nuk ka kurrfarë bisedash përpara, e as konsultime. Ato nuk kanë vlerë e as peshë juridike, përpos seancës ku propozohet kryetari i Kuvendit. Kështu që kur disa po më kritikojnë që e kam thyer ligjin, unë e kam thyer ligjin vërtetë që kam bërë konsultime me ta. E nuk po e thyej Ligjin që po bëjë konsultime me ta. Ata ma kanë kërkuar një konsultim, unë i kom mbajt tri konsultime me ta, e kanë kërkuar të katërtin, por unë më nuk bëjë konsultime me ta. Unë e ftoj seancën, ata le të urdhërojnë. Por unë gjithmonë do veproj në bazë të ligjit, asnjë pikë nuk largohem nga ligji”, ka deklaruar tutje Adem Mikullovci.

Ndërkaq, Kuvendi i Kosovës, zyrtarisht ka njoftuar se për të hënën në ora 10:00 është thirrur vazhdimi i seancës konstituive. Seanca ka vetëm një pikë të rendit të ditës, atë të zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit dhe të nënkryetarëve.

Koalicioni fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, PDK-AAK-NISMA, të cilët edhe u takon propozimi i krye parlamentarit kanë paralajmëruar se do ta bojkotojnë edhe këtë seancë, sikurse atë të 10 gushtit.

Ndërkohë i nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, ka deklaruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se gjatë 10 ditëve të ardhshme pritet që të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe më pas të formohet edhe Qeveria e re e Kosovës.

Në rast të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, më pas fillon faza prej 15 ditëve për formimin e Qeverisë.

Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, kjo e drejtë i takon koalicionit PAN (PDK, AAK dhe Nisma) si fitues i zgjedhjeve. Për formimin e Qeverisë janë të nevojshme të paktën 61 vota të deputetëve