Miku i Shpendit e ka legalizuar kishën serbe në qeverisjen e Ismet Beqirit

Ka apo s’ka leje, objekti i destinuar për kishë ortodokse serbe, ndërtimi i saj për Komunën e Prishtinës është legjitim. Kjo pasi kisha është e përfshirë në dokumentet ligjore të rregullimit urban të kampusit universitar. Plani Rregullues Qendra 2, i cili e trajton edhe komplet hapësirën Universitare, është miratuar në Asamblenë e Prishtinës në kohën sa qeveriste me Prishtinën, Ismet Beqiri, dhe plani i njëjtë e ka paraparë kishën në atë gjendje si është.

Lajme

20/09/2016 17:00

Planin Rregullues të kësaj hapësire e ka bërë kompania e Ilir Gjinollit, “Urban +”. Gjinolli është miku i kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe aktualisht është në marrëdhënie kontraktuale me Komunën e Prishtinës edhe për Revidimin Planeve tjera rregulluese, shkruan lajmi.net

Konform këtij plani i cili është në fuqi, janë ndërtuar edhe objektet tjetër përreth Kampusit universitar, ndërsa kisha është paraparë të lihet si objekt ekzistues pa iu ndërruar destinimi.

Rektorati është paraparë të bëhet muze i universitetit, qendër e studentëve të bëhet Fakulteti i Edukimit, ndërsa Rektorati të ndërtohet prapa në hapësirën ekzistuese ku ndodhen disa baraka. Nuk është paraparë asnjë ndërtesë rreth kishës. Po sipas Planit, është paraparë të ndërtohet oborri i kishës, të gjelbërohet dhe të mbillen lisa dekorativ, ndërkohë ndërtesa përballë Fakultetit Ekonomik, e cila është brenda gardhit që është e rrethuar kisha, është paraparë të rrënohet dhe ajo pjesë të kthehet në gjelbërim, shkruan lajmi.net.

Derisa kisha ortodokse serbe është legalizuar nga hapësira e Planit, meqë e njëjta ekziston si e tillë në pjesën grafike të Planit, në bazë të të cilit është paraparë që të lëshohen lejet e ndërtimit e të bëhet rregullimi i lagjes, në pjesën tekstuale kur është bërë propozimi për rregullim të asaj hapësire, shumica e studentëve janë shprehur për rrënimin e kishës.

Në propozim Planin rregullues, është cekur se për rregullimin e hapësirës brenda Kampusit, veçmas ku ndodhet kisha, janë anketuar studentët për tri ditë rresht. Nga anketa, sipas kompanisë projektuese, ka rezultuar se: Diskutimi i çështjes së kishës ortodokse 17 për qind prej së cilës, 10 për qind kanë konsideruar se kisha duhet të largohet nga lokacioni (duke konsideruar se objekti e dëmton imazhin e destinimit të lokacionit – qendrës universitare, dhe të tjerat kanë të bëjnë me çështje religjioze) dhe 7 për qind kanë konsideruar se kishës t’i jepet një destinim tjetër si: bibliotekë, Fakulteti i Arteve, lokal për argëtimin e studentëve, etj.

Megjithëkëtë, këtë disponim të studentëve, hartuesi i Planit me miratim të Komunës objektin e kishës e ka vendosur në këtë dokument në gjendjen si është, shkruan lajmi.net.

Komuna  e Prishtinës nuk ka dashur të përgjigjet lidhur me atë nëse ka pasur iniciativ për ndryshimin e këtij Plani rregullativ, dhe asgjë lidhur me këtë rast. Por, siç merr vesh lajmi.net, ai Plan Rregullues nuk është tentuar që të dërgohet në Asamblenë e Prishtinës për plotësim-ndryshim deri më tani që nga ardhja e Shpend Ahmetit në krye të pushtetit.

Pastaj Plani rregullues ka paraparë rregullimin e hapësirave edhe rreth Katedrales, ku sipas Planit nuk ishte paraparë ndërtimi i lokaleve për rreth Katedrales. /lajmi.net

 

 

Duke klikuar këtu mund ta shihni planin rregullativ “Qendra 2”.