Mijëra ‘Dardanë’ premtojnë spektakël për ndeshjen kundër Islandës

‘Dardanët’ do të jenë lojtari i 12-të i Kosovës edhe në ndeshjen kundër Islandës. Përkundër largësisë, ata kanë bërë të gjitha përgaditjet dhe janë më të motivuar se kurrë ta përkrahin Kosovën.

Sport

24/03/2017 10:50

Mbi 1.000 dardanë kanë konfirmuar zyrtarisht se do udhëtojnë drejt Shkodrës, numër i cili pritet të rritet pasi interesimi është i madh.

Në një intervistë për lajmi.net, kryetari i Dardanëve Lulzim Berisha, ka dhënë detaje për organizimin e udhëtimit, duke u bërë thirrje të gjithëve që të jenë në përkahje të Kosovës.

“Ne jemi gati, tashmë çështjet veç janë në përfundim. Nisemi në ora 10:30 nga Prishtina, kurse pikëtakimi që e kemi lënë është të kufiri në Vërmicë, ku do të bëhemi bashkë rreth orës 13:00. Saktësisht  do jemi mbi 1.000 Dardanë, kush dëshiron të bashkangjitet ne i presim. Por jo për pushim, pasi te Dardanët nuk është vend pushimi, por vend i përkrahjes së Kosovës”, ka thënë kryetari i Dardanëve.

Ai ka premtuar se kanë përgatitur koreografi fenomenale, të cilat do të shfaqen para dhe gjatë ndeshjes.

“Pa koreografi ne nuk nisemi drejt Shkodrës. Besoj që do jetë diçka interesante dhe do t’iu pëlqejë të gjithëve”, ka thënë Berisha.

Duke folur për kartela e anëtarësimit si tifozë Dardanë, Berisha tregoi se për më pak se dy javë kartelat i kanë marrë mbi 1.000 fansa që janë të regjistruar edhe zyrtarisht.

“Interesimi për kartelat ka qenë i madh. Për vetëm dy apo tre javë, i kemi më shumë se 1.000 persona që janë regjistruar zyrtarisht si dardanë”, tha ai.

Dardanët po marrin mbështetje edhe nga insitucionet tjera. Ata kanë një memorandum bashkëpunimi me FFK-në, dhe gjithashtu edhe përmes Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit po mbështeten në mënyra të ndryshme.

“Ne kemi memorandum bashkëpunimi me FFK-në, dhe gjithsesi përkrahja nuk mungon”, u shpreh kryetari i tifozerisë së Kosovës për lajmi.net

Me lojtarët e rinjë që kanë ardhur te Kosova, edhe Dardanët janë shumë më optimist për fitore ndaj Islandës.

“U pa edhe në stërvitje që Besart Berisha pas çdo harkimi shënonte, pra bëhet fjalë për lojtar cilësor. E për Donis Avdiajn, flet vet klauzola që ai e ka”, vazhdoi Lulzim Berisha.

Ai krejt në fund nuk hezitoi ta jep edhe prognozën e tij, duke i dhënë edhe emrat e golashënuesve.

“Fitojmë 2-0. Shënues do të jenë Besart Berisha dhe Arbër Zeneli”, përfundoi lideri i ‘Dardanëve’.

Përveç ‘Dardanëve’ shkallët e stadiumit Loro Boriçi në Shkodër, pritet t’i zënë edhe mijëra përkrahës tjerë të Kosovës

Ndeshja Kosovë-Islandë zhvillohet të premten me fillim nga ora 20:45. /Lajmi.net/