Migjen Basha befason me skuadrën e re

Paolo Tramexani duket se i ka ngulur sytë mesfushës së Kombëtares shqiptare. Ish-ndihmësi i Xhani De Biazit kërkon të përforcojë radhët e skuadrës së Sionit, të cilën e drejton, duke afruar elementë nga radhët e kuqezinjve.

Sport

17/07/2017 20:20

Në ditët e kaluara është folur për një interesim konkret të Sionti për Ledian Memushajn, ndërsa vazhdojnë negociatat për të finalizuar transferimin e tij në Zvicër nga radhët e Peskarës. Por Tramexani kërkon edhe elementë të tjerë me eksperiencë, për t’i besuar organizimin e lojës dhe që të përçojnë idetë e tij në manovrën e skuadrës.

Mediat italiane raportojnë se objektivi i radhës është mesfushori Migjen Basha. Tramexani e njeh mirë lojën e 30-vjeçarit, i cili është aktualisht pjesë e Barit në Serinë B. Ndonëse për momentin ai ka filluar fazën përgatitore të sezonit si titullar të klubi i tij, në Itali janë të sigurt se te Bari po kërkojnë një element më të ri në moshë për rolin e regjisorit në mesfushë, raporton PanoramaSport.

Ndaj Basha mund të përfitojë nga mundësia që i jep Tramexani për t’iu bashkuar një skuadre me ambicie në Zvicër, si Sioni, edhe pse lojtari në fakt ka shprehur publikisht mospëlqimin e tij për kampionatin zviceran. Mbetet të mësohet në ditët në vijim se si do të vijojnë negociatat mes palëve, por Sioni nuk ka ndër mend të zgjatet shumë në merkato, duke llogaritur se shumë shpejt do të luajë ndeshjet në turin e tretë paraeliminator të Ligës së Europës.

Një tjetër emër i përfolur në javët e kaluara si përforcim i Sionit të Tramexanit ishte edhe ai i Emir Lenjanit.