“Miell, ujë dhe vezë”, Ruçi bën “kurban” 6 deputetë dhe një ministër (FOTO)

E gjitha përleshja e sotme mes opozitës dhe mazhorancës nuk ka kaluar pa "viktima".

Lajme

12/04/2018 19:34

Pas mbledhjes së Byrosë së Kuvendit pasditen e kësaj të enjte është vendosur që të përjashtohen nga seancat parlamentare dhe Komisionet për 10 ditë, 6 deputetë të opozitës dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Kërkesa për përjashtimin e 6 deputetëve të opozitës erdhi nga PS-ja, me argumentin se kanë shkelur rregulloren e Kuvendit.

Organi ndëshkimori i Kuvendit, përjashtoi nga seancat parlamentare për 10 ditë Flamur Nokën, pasi ai qëlloi me miell në drejtim të kryeministrit Edi Rama.

Për dy deputetët e tjerë të PD-së, Klevis Balliu dhe Ervin Salianji, si dhe Kejdi Mehmetajn e LSI-së, u mor vendimi i përjashtimit pasi qëlluan me vezë, topa letre si dhe me shishe ujë.

Pa u ndëshkuar nuk kanë ngelur as deputetët Edi Paloka dhe Endrit Brahimllari, me arsyetimin se kanë shkelur rregulloren e Kuvendit.

Por, në mbledhjen e Byrosë së Kuvendit që nisi në orën 18:00, u përjashtua edhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, pasi hodhi ujë në drejtim të deputetëve të opozitës, të cilët po qëndronin afër foltores.

Edhe pse Bushati përmes një reagimi në profilin e tij në Facebook, kërkoi ndjesë për ngjarjen, ai u shpreh i gatshëm që të merrej çdo masë ndaj tij.

Seanca e sotme u zhvillua mes tensioneve të shumtë, pas opozita kërkoi lirimin e 11 kuksianëve, të cilët janë në burg pas protestës së tyre, kundër tarifës së rrugës së Kombit.

/GazetaExpress/