Microsoft konfirmon se do të ketë 7 variante të Windows 10

Microsoft sapo ka larguar çdo konfuzion rreth varieteteve të ndryshme të Windows 10, i cili do të jetë i gatshëm për t’u blerë këtë vit.

Auto & Tek

14/05/2015 21:13

Kompania konfirmoi se sistemi operativ do të vijë në shtatë variante të ndryshme, duke përfshirë versionet desktop dhe mobil për shtëpi dhe biznese, së bashku me ofertat për shkolla dhe ‘Internetin e Gjërave’.

Kjo nuk është hera e parë që Microsoft ka ofruar versione të ndryshme të programit të tij – Windows 8 ishte shitur në versione të ndryshme, gjithashtu – por kjo shënon herën e parë që Microsoft ka treguar saktësisht për versionet e ndryshme të Windows 10, transmeton Lajmi.net.

Më poshtë është lista e versioneve të Windows 10:

Windows 10 Home: Ky është varianti për desktop, të cilin shumica e përdoruesve do ta kenë në PC-të, laptopët dhe tabletët e tyre. Do ta ketë të integruar Cortana-në dhe shfletuesin e ri Microsoft Edge. Përdoruesit e Xbox do të jenë gjithashtu në gjendje që të luajnë lojëra të Xbox në PC me Windows 10 Home.

Windows 10 Mobile: Ky edicion do të veprojë në celularë dhe tabletë me ekrane më të vogla. Do të ketë disa aplikacione të Windows 10 dhe aplikacionin e ri Office apps për pajisje me ekran më të vogël, transmeton Lajmi.net.

Windows 10 Pro: Zëvendësuesi i Windows 8.1 Pro, i dizanuar për biznese të vogla, me karakteristika shtesë për t’i lejuar kompanitë që t’i menaxhojnë aplikacionet në pajisjet e tyre. Përdoruesit e këtij varianti kanë një përparësi pasi që në të është edhe programi i ri i Microsoft ‘Windows Update for Business’, i cili e bën më të lehtë për përdoruesit që të organizojnë sigurinë e tyre dhe përditësimet e Microsoft.

Windows 10 Enterprise: Ky edicion zëvendëson Windows 8.1 Enterprise dhe është i dizajnuar për kompani të mëdha. Ka shumë veçori për siguri dhe gjithashtu mbështetë programin e lartcekur të Microsoft.

Windows 10 Mobile Enterprise: Formalisht një Windows Phone për biznes. Windows 10 Mobile Enterprise është edicion për celularë dhe tabletë më të vegjël.

Windows 10 Education: Ky edicion është krijuar posaçërisht për shkolla, ku gjenden shumë aplikacione që iu hynë në punë studentëve.

Windows 10 Iot Core: Ky edicion duket të jetë zëvendësuesi i Windows Embedded dhe do t’i fuqizojë pajisjet e vogla.