Mianmar, 11 të vdekur nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut

Të paktën 11 persona e kanë humbur jetën nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut që u shkaktuan nga shirat mosun në shumë rajone të Mianmarit.

Bota

19/06/2018 11:12

Kryqi i Kuq i Mianmarit (MRCS) njoftoi sot se në përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në 10 rajone të Mianmarit janë dëmtuar së paku 8.000 objekte banesore dhe 1.000 hektarë fushë bujqësore ka mbetur nën ujë.

“Deri tani jetën e kanë humbur të paktën 11 persona, ndërsa nga rajonet më të rrezikuara janë evakuar 23 mijë persona”, tha për AA kreu i Kryqit të Kuq të Mianmarit, Khin Maung Hla.

Shirat disajavore mosune më së shumti probleme shkaktuan në provincën juglindore Mon në të cilën rreth 15 mijë persona u evakuuan dhe u vendosën në kampe të improvizuara.

Përmbytjet në masë të madhe kanë dëmtuar edhe pagodat e njohura budiste në kryeqytetin provincial të Mawlamyine.

“Provinca Mon përballet me përmbytjet më të mëdha në katër dekadat e fundit”, tha Khin.

Mianmari është vend i katastrofave të shpeshta natyrore dhe sipas raportimeve të ekspertit të OKB-së konsiderohet si shteti më i rrezikuar nga ndryshimet klimatike në juglindje të Azisë.