MF: S’ka arsye për grevë, mësimi duhet të mbahet

Ministria e Financave (MF) sot ka përgatitur pagat për muajin prill për 24 mijë mësimdhënës dhe 4 mijë staf administrativ dhe teknik në arsimin parauniversitar me rritje për përvojën e punës dhe ato do të shpërndahen që nesër. Pagesa për përvojën e punës paguhet në pagën bazë të muajit mars 2015.

Lajme

28/04/2015 23:10

Kështu thuhet në një komunikatë për media, ku thjeksohet se në paga përfshihen vitet e plota të përvojës së punës deri më 2015.

“Pagesa për përvojën e punës paguhet në pagën bazë të muajit mars 2015. Këto lista të pagave do të shpërndahen nesër në të gjitha komunat dhe secili mund ta vërtetojë këtë”.

“Si rezultat, vlerësojmë se nuk ka asnjë arsye për mbajtjen e grevës. Ftojmë SBASHK-un dhe të gjithë arsimtarët të reflektojnë në këtë dhe të mbajnë mësimin nesër. Është e padrejtë që mbi 420 mijë nxënës të mbesin në shtëpi pa arsye”.

“Shoqëria kosovare ju ka borxh mësimdhënësve për kontributin e dhënë me dekada. Si rezultat, pagat e tyre sot janë më të lartat në sektorin publik dhe sa dyfishi i pagave në sektorin privat”, thuhet në komunikatë.

Sipas MF-së, Qeveria ka qenë e sinqertë me mësimdhënësit dhe asnjëherë s’ka bërë premtime pa mbulesë. Ata kërkojnë që SBASHK-u të ndryshojnë qasjen e tyre “ultimative”.

“Ne kemi qenë të sinqertë me arsimtaret, duke mos u dhënë premtime pa mbulesë. Kemi reduktuar çdo shpenzim të mundshëm dhe kemi ndarë 11.2 milionë euro për përvojën e punës. Për qeverinë, arsimtarët janë partnerë në zhvillimin e arsimit. Por qasja e tyre ultimative është jashtë rezonit të partneritetit dhe përgjegjësisë shoqërore që kemi të gjithë”, thuhet në fund të komunikatës së lëshuar nga Ministria e Financave.