Mezi e pret datën 4

Agim Çeku takon qytetarët “dorë më dorë” dhe ua kërkon votën, për ta qeverisur Prishtinën për 4 vjetët e ardhshme. Ai nuk i pyet qytetarët “Edhe...?”, por “A doni me na ndihmu?”.

Lajme

29/10/2013 12:34

Agim Çeku mezi po e pret 4 nëntorin, ditën kur pritet të dihet rezultati zgjedhor, për t’ia filluar punës si Kryetar i Komunës së Prishtinës.

Kështu po beson se do të ndodhë Kandidati i PDK’së për Kryeqytetin, i cili thotë se është i bindur në fitore.

Ai u takua “dorë më dorë” me qytetarët e Prishtinës, të martën.

Për dallim nga Kryetari i partisë së tij Hashim Thaçi, pyetja e Çekut nuk ishte “Edhe…?”, por “A doni me na ndihmu?”.

“Me padurim e pres 4 nëntorin që ta filloj punën”.

Agim Çeku konstatoi se prishtinasit po e duan ndryshimin, po e duan një Prishtinë Europiane.

“Po e shoh në sytë e tyre, po e shoh në fjalët e tyre, po e shprehin që e dëshirojnë ndryshimin, që besojnë në Partinë Demokratike të Kosovës, që më besojnë mua si kandidat.”

“Vërtet po shihet shumë qartë që fitorja e PDK’së, fitorja ime, por edhe e Prishtinës, po vjen më 3 nëntor.”

“Më 3 nëntor, së bashku me qytetarët e Prishtinës, do ta nisim rrugëtimin tonë të përbashkët drejt një Prishtine Europiane. Këtë qytetarët po e dëshirojnë, këtë po e kërkojnë dhe këtë gjë po ma besojnë mua dhe PDK’së që ta realizojmë këtë vizion.”

“Në fushatë po e ndjej kur po takohem me qytetarët, kur po i shtrëngojmë duart, për të më dhënë mbështetjen, për të më dhënë kurajo.”

Ai tha se programi i tij është i implemetueshëm dhe i cili e lehtëson jetën e qytetarëve – duke e bërë atë më të mirë dhe me të sigurt.

Po ashtu, vlerësoi se fushata ka qenë korrekte dhe gara ka qenë e fortë.

“Mendoj se ka qenë një fushatë mjaft korrekte. Një garë jashtëzakonisht serioze, një garë e vështirë.”

“Edhe unë, edhe PDK, mendojmë se kemi vendosur standard të fushatës, që jemi marrë vetëm me qytetarët, duke ua ofruar ofertën tonë, programin tonë. Besoj se qytetarët e kanë kuptuar që është programi më konkret.”