Meyler shkeli Januzajn, por i shpëton dënimit

Mesfushori i Hull Cityt, David Meyler nuk do të dënohet nga Federata angleze e futbollit pas shkeljes që i bëri Adnan Januzajt, në ndeshjen kundër Manchester Unitedit të martën në Old Trafford.

Sport

07/05/2014 21:26

Mesfushori i Hull Cityt, David Meyler nuk do të dënohet për finalen e FA Cup pas shkeljes ndaj yllit kosovar të Manchester Unitedit, Adnan Januzaj.

Federata angleze e futbollit ka vendosur të mos marrë masa kundër futbollistit irlandez.

Gjyqtari, Craig Pawson i ka thënë zyrtarëve të Federatës se ai ishte duke e shikuar rastin që ndodhi në fitoren e Unitedit me rezultat 3:1 në Old Trafford të martën mbrëma.

Sipas rregullave, rastet që nuk janë parë nga gjyqtari në fushë mund të sanksionohen pas ndeshjes, mirëpo Pawson ka insistuar se e kishte vëzhguar incidentin dhe nuk e vlerësoi si të qëllimshme shkeljen e Meylerit.

Pas ndeshjes, menaxheri i përkohshëm i Manchester Unitedit, Ryan Giggs bëri thirrje për më tepër mbrojtje ndaj Januzajt.

Kjo është hera e dytë që Januzaj ka qenë viktimë e një shkelje nga një futbollist kundërshtar pas rastit me anëtarin e Fulhamit, Sascha Riether, i cili u dënua me tri ndeshje moslojë në nëntor të vitit të kaluar pasi pranoi akuzën e Federatës për sjellje të dhunshme.