Meta të hënën merr detyrën e presidentit të Shqipërisë

Këtë të premte Bujar Nishani shkoi në zyrën e tij për herë të fundit si President. Në Oborrin e presidencës kishin filluar përgatitjet për ceremoninë e dorëzimit të detyrës tek Ilir Meta pasditen e së hënës.

Lajme

21/07/2017 17:49

Por si do të zhvillohet kjo ceremoni? Protokolli i shtetit paracakton se ceremonia zhvillohet e ndarë në dy momente kryesore, në sallën e Kuvendit dhe në Pallatin e Brigadave. Por pavarësisht kësaj, Bamir Topi kur i la detyrën Bujar Nishanit e zhvendosi ceremoninë në hyrjen e Presidencës, aty ku do të zhvillohet edhe të hënën.

Protokolli parashikon se në orën 18.00, Presidenti i Republikës mbërrin në hyrjen kryesore të ndërtesës së Kuvendit dhe po në këtë moment del aty për ta pritur kryetari i Kuvendit dhe, mbasi përshëndeten, hyjnë nëpërmjet sallës dhe zënë vend në podium. Sipas Protokollit, Ilir Meta, president, duhet të pritet nga Ilir Meta, kryetar Kuvendi. Në këtë rast përplasjesh, do të gjendet një zgjidhje alternative duke shkelur protokollin që një nga tre nënkryetarët e Kuvendit të drejtojë seancën e betimit.

Kështu, nënkryetari i Kuvendit do të ftojë Metën të ngrihet në këmbë për të bërë betimin. Pasi Meta të thotë “Betohem”, nënkryetari i Kuvendit e fton atë për të marrë fjalën përshëndetëse para Kuvendit.

Pas përcjelljes nga Kuvendi, ceremonia do të zhvendoset në Presidencë. Aty do të jenë të ftuar mirë ë huaj, diplomatë dhe drejtues të institucioneve shqiptare. Në orën 19.25 mbërrin dhe zë vend në krye të shkallëve presidenti në largim, Bujar Nishani. Në orën 19.30 mbërrin Presidenti i Republikës.

Ekzekutohet himni kombëtar, i cili shoqërohet me 21 të shtëna topi artilerie me interval 30 sekonda nga njëra-tjetra.

Drejtori i Protokollit të Shtetit fton Bujar Nishanin të bëjë përshëndetjen e rastit dhe në fund të saj, në mënyrë simbolike, Nishani i dorëzon Metës Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Drejtori i Protokollit të Shtetit fton Presidentin e zgjedhur, Ilir Meta të bëjë përshëndetjen e rastit. Nga praktikat e mëparshme, familjet e dy presidentëve qëndrojnë në dy anë të ndryshme të hyrjes ku kryehen dhe fotografitë zyrtare të rastit.

Familja presidenciale mund të zhvendoset të jetojë në Pallatin e Brigadave, por në rastin kur Zonja e Parë, Kryemadhi, është edhe kryetare e një parti, do të duhet të presim vendimin e familjes.

Vetë kryemadhi pati thënë se nuk do të sillet si Zonjë e Parë, ndaj Presidenca e Metës do të jetë e veçantë për 5 vite: ose nuk do të kemi një zonjë të parë në protokoll, ose zonja e parë do të jetë dhe kryetare e një partie opozitare.

YouTube player