Meta: Qosjes i është harxhuar tagjia

Deputeti i LDK-së, Bardhyl Meta ka reaguar pas akuzave që akademik Rexhep Qosja i bëri kryeministrit Isa Mustafa, duke e quajtur bashkëpunëtor të Millosheviqit. 

Lajme

14/12/2014 00:04

Meta në një koment në Facebook, thotë se kryeministri Mustafa, duhet të ndihet krenar që është futur në mesin e njerzëve të cilët i akuzon Qosja. Ai përmend emrat që Qosja me akuzat e tij ka tentuar t’i kryqëzoj, duke filluar nga i ndjeri Fehmi Agani, presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova, shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare, e ish kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha. 

Meta thotë se arsye pse Qosja ringjallet me akuzat e tij, kundër Mustafës, e madje edhe ndaj Hashim Thaçit, është ajo financiare. 

Ai kujton se si Qosja kishte marrë nga qeveria e Kosovës, 238 mijë euro për ribotimin e veprave të tij të botura para luftës.

“Pak vite më parë, nga Qeveria Thaçi, morri për ribotim të veprave të tij, ato të para luftës, pra për ribotim, 238’000 Euro. Tash, ato janë harxhue. Thaçi më s’është Kryeministër. I vetmi rast që ta kritikonte, ishte ky! E pse ta kritikonte Thaçin që i dha 238’000 Euro!?”

“E thjeshtë: që Rexhep Qosja ynë, t’kishte një kritike edhe për Hashim Thaqin, të cilin doli dhe e kritikoi rreptë – ndërkohë që, s’la faj, mëkat apo krim të Serbisë, qoftë të Pashiqit, apo të Çubrilloviqit, Rankoviqit dhe Millosheviqit – pa ia m’veshë e atribue edhe Prof. Dr. Isa Mustafës, Kryeministrit aktual të vendit dhe Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës!”

“Kryeministri i Kosovës, prof. Dr. Isa Mustafa, duhet në fakt të ndjehet i nderuar, me vrerin që hodhi kundër tij, e tmerrin që kishte përjetuar me ndërrimin e kryeministrit dhe pushtetit, prof. Dr. Rexhep Qosja.

Kështu e kishte gjithmonë Rexhep Qosja, edhe me prof. Dr. Fehmi Aganin, edhe me prof. Dr. Ibrahim Rugovën – kritik e shkrimtar dhe drejtor i Institut Albanologjik apo Kryetarë i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës; Dhe kështu e kishte Qosja me prof. Dr. Ibrahim Rugovën, edhe kur ky erdhi si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, apo pastaj si President i vendit”.

“Kështu e kishte Qosja edhe me Ismail Kadarenë, shkrimtarin më të lexuar e më të përkthyer shqiptar apo ballkanas. Dhe kështu e kishte edhe me Liderin e përmbysjes së regjimit më stalinist dhe Presidentin e Kryeministrin në disa mandate të Shqipërisë, prof. Dr. Sali Berishen. Dhe rrjedhimisht, kështu e ka edhe me prof. Dr. Isa Mustafën”.

“p.s. Rexhep Qosjen me mjekër, i gjithë vendi e njeh vetëm si të tillë. Pa mjekër ndërkaq, atëherë n’Bllacë, se kanë njohur as familjarët…”, ka shkruar Meta ndër të tjera në komentin e tij mbrojtës për shefin e partisë, Isa Mustafa. (lajmi.net)