Meta në Mal të Zi: Përfaqësim të shqiptarëve në institucione

Ilir Meta u prit sot në takim nga kryeministri malazez Dushko Markoviç.

Lajme

22/01/2019 09:26

Presidenti Ilir Meta, në vijim të vizitës së tij në Mal të Zi u prit sot në takim nga kryeministri Dushko Markoviç. Meta përgëzoi Markoviç për përparimin që ka shënuar Mali i Zi, duke u ndalur gjerësisht tek procesit të integrimit europian.

Gjatë takimit, Meta shprehu dëshirën, që bashkëpunimi i mirë që ekziston midis dy vendeve të përshpejtohet dhe të thellohet më tej në të gjitha fushat, duke patur si objektiv parësor ndërlidhjen gjithnjë e më të mirë mes qytetarëve në të dy anët e kufirit, transmeton “Balkan Web”.

Mes të tjerash kreu i Shtetit inkurajoi përcaktimin e prioriteteve të qarta dhe ndjekjen e projekteve konkrete në fushën e infrastrukturës, mjedisit, ujërave, turizmit, etj., që i japin përmbajtje dhe shprehin vullnetin e ndërsjelltë politik për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Po ashtu Meta apeloi për një përfaqësim më përfshirës dhe më të drejtë të shqiptarëve në institucionet qendrore dhe lokale të Malit të Zi.