Meta i premton Jahjages mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga gjatë vizitë së saj në Shqipëri është takuar edhe me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta.

Lajme

10/09/2015 14:50

Jahjaga gjatë takimit me Meten, shprehu mirënjohjen e thellë të institucioneve të Kosovës si dhe të popullit të saj për mbështetjen e fuqishme, të vazhdueshme e të pakursyer të Shqipërisë dhe popullit të saj ndaj avancimit të proceseve integruese, lobimit për njohjet ndërkombëtare, anëtarësimit në organizatat rajonale dhe progresit të Kosovës.

Kryetari Meta dhe presidentja Jahjaga vlerësuan marrëdhëniet e ngushta e vëllazërore mes dy vendeve fqinje dhe nënvizuan rëndësinë e rritjes së cilësisë së bashkëpunimit dypalësh, si në aspektin ndërparlamentar, ashtu edhe në drejtim të shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike, me qëllim heqjen e barrierave dhe shtimit të fluksit tregtar.

Meta e siguroi në përfundim presidenten e Kosovës se Shqipëria do të jetë gjithnjë përkrah Kosovës në mbështetje të progresit të gjithanshëm demokratik e shoqëror të vendit fqinj, duke i cilësua marrëdhëniet mes dy vendeve si strategjike për mbarëvajtjen e stabilitetit dhe sigurisë rajonale.