Mësuesit lënë njësha në abetare

Nxënësit e klasës së parë kanë mundësi të ndëshkohen me notën më të dobët. Kjo ndodh edhe në shkolla të Prishtinës, pasi që nuk i ndalohet me kurrikulat aktuale mësimore. Psikologët thonë se kjo ndikon keq te të vegjlit.

Lajme

29/11/2014 08:47

Prindërit e një nxënëseje të klasës së parë në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë kanë mbetur të habitur me njëshin që ia kishte vënë në abetare mësuesja, dy muaj pas fillimit të klasës së parë.

Ata tregojnë se fëmija i tyre nuk është i vetmi që vlerësohet me nota të ulëta në abetare dhe në fletore nga kjo mësuese.

Prindërit e fëmijëve të tjerë të klasës u kishin treguar se vlerësime të tilla u janë bërë edhe nxënësve të tjerë.

Korniza e Kurrikulës për arsimin parauniversitar nuk e përcakton qartë nëse mësimdhënësve u lejohet t’u vënë nxënësve nota qoftë pozitive, qoftë negative nëpër faqet e teksteve shkollore, apo kudo tjetër që ata e shohin të arsyeshme.

Asnjëra nga këto mënyra të vlerësimit të nxënësve nuk janë të ndaluara me dokumentin e Kurrikulës, shkruan Koha Ditore.

Kjo u ka lënë mundësinë mësimdhënësve që të vendosin njësha edhe ne abetaret e gjashtëvjeçarëve, që sapo kanë nisur shkollimin.

Vlerësimi e këtillë, sipas psikologut ndikon negativisht në motivimin fëmijëve për të shkuar në shkollë dhe për të mësuar.