Mësuesi i mirë mungon në klasë

Dukagjin Pupovci thotë se në Kosovë mungon mësuesi i mirë, prandaj nxënësit janë të nivelit që nuk do të duhej të ishin. Sipas tij, sistemi është fajtori kryesor, ngase duhet të jetë sistem që mbështet më shumë mësimdhënësit.

Lajme

03/02/2014 06:51

Në klasat e shkollave kosovare, si në shumë vende të rajonit, mungon kuadri i mësuesve të mirë. Dhe për këtë, eksperti i çështjeve të arsimit në Kosovë, Dukagjin Pupovci, fajin kryesor ia lë sistemit arsimor në vend.

Në një prononcim për lajmi.net, ai thotë se përgatitja e mësuesve është rrjedhojë e sistemit arsimor në Kosovë.

“Edhe në Kosovë mungojnë mësuesit e mirë, si në shumë vende të rajonit, dhe për këtë fletë vetë cilësia e arsimit të cilën e kemi, sepse, në pjesën më të madhe cilësia e arsimit varet nga mësuesit”.

“Dhe nëse aty diçka nuk shkon, atëherë me siguri se ka probleme tek përgatitja e mësuesve. Por, nuk është problemi vetëm tek përgatitja e mësuesve. Problemi është edhe tek mbështetja, e cila u mungon atyre në shkollat ku punojnë”.

“Kjo rezulton me një mësimdhënie që nuk është në nivel të kënaqshëm, prandaj, thjesht, njohuritë e nxënësve nuk janë në nivelin në të cilin do të kishim dashur të jenë”.

Pupovci vlerëson se është pikërisht përgatitja e mësuesve ajo që i dallon shtetet ndër vete. Ai kujton që më herët mësuesit kanë studiuar në shkolla të larta pedagogjike dhe kjo ka bërë që të mos ketë mësues mjaftueshëm të përgatitur.

“Finlanda gjithë suksesin e vet në sistemin e arsimit ia atribuon përgatitjes së mësuesve. Mund të themi se përgatitja e mësuesve tanë, në raport me vendet e zhvilluara të Europës, lë shumë për të dëshiruar.”

“Këtu me siguri se fajtori kryesor është sistemi për përgatitjen e mësuesve, që është Universiteti në këtë rast. Më herët e dimë që mësuesit janë arsimuar në shkolla të larta pedagogjike dhe në shkollat normale, pra sigurisht që të gjitha këto sikur të kishin funksionuar mirë, edhe mësuesit do t’i kishim më të përgatitur.”

“Çfarë e kemi sistemin, ashtu e kemi edhe përgatitjen e mësuesve”.

Sipas tij, Kosova do të përballet edhe në të ardhmen me problemin e cilësisë së mësuesve, ngase interesimi për profesionin e mësimdhënësit nuk është i lartë.

Pupovci thotë se mësimdhënësve u duhet mbështetje gjatë gjithë punës së tyre në shkolla, për të qenë mësues të mirë.

“Gjeneratat e reja si rregull nuk tregojnë interesim të madh për profesionin e mësimdhënësit. Zakonisht ata zgjedhin profesione të cilat konsiderojnë se janë më atraktive dhe ku ka mundësi më të mëdha edhe punësimi edhe fitimi.”

“Kjo nuk është ndonjë shenjë e mirë sa i përket përgatitjes së mësuesve edhe në të ardhmen. Prandaj, mund të presim se edhe në të ardhmen do të ketë probleme me cilësinë e së ardhmes”.

“Duke i kushtuar një kujdes aspektit akademike të një mësimdhënësi dhe përgatitjes pedagogjike, mendoj se do të kemi njerëz të cilët do të jenë më të përgatitur për të qenë mësues të mirë në shkolla. Por, përsëri, është sistemi ai i cili do të duhej t’i mbështesë gjatë gjithë punës së tyre, në mënyrë që ata të kenë performancë vazhdimisht të mirë”, thotë Dukagjin Pupovci për lajmi.net.