Messi ndihet në super formë

Lionel Messi ndien se më në fund i ka lënë prapa krahëve lëndimet, pasi shënoi tre gola në fitoren 7:0 që e regjistroi Barcelona ndaj Osasunës. 26 vjeçari i kaloi dy muajt e fundit të vitit 2013 jashtë fushës, për shkak të problemeve fizike dhe qysh tash e ka arritur formën më të mirë. Sulmuesi…

Sport

17/03/2014 08:40

Lionel Messi ndien se më në fund i ka lënë prapa krahëve lëndimet, pasi shënoi tre gola në fitoren 7:0 që e regjistroi Barcelona ndaj Osasunës.

26 vjeçari i kaloi dy muajt e fundit të vitit 2013 jashtë fushës, për shkak të problemeve fizike dhe qysh tash e ka arritur formën më të mirë.

Sulmuesi argjentinas i ka realizuar 10 gola në shtatë ndeshjet e fundit në La Liga dhe shpreson të vazhdojë me ritëm të njëjtë, pa pasur lëndime tjera.

“Mendoj se më në fund jam shëruar plotësisht. Jam rikthyer në ritmin e duhur dhe e ndiej besimin sërish. Po ndihem mjaft mirë. Po kthehem në formën më të mirë pas lëndimit”, deklaroi përfaqësuesi argjentinas.

Katër herë fituesi i Topit të Artë po mendon për El Clasicon e së dielës dhe është i vendosur ta ndihmojë gjigantin katalunas t’i marrë të tria pikët, për të mbetur në garë për titull të kampionit në La Liga.

“Ne duam ta mposhtim Real Madridin dhe ta rihapim garën për titull. Objektiv yni është të luftojmë për titull deri në fund. Do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë, por shpresojmë në një rezultat të mirë”, vazhdoi Messi, i cili u bë golashënuesi më i mirë në histori të Barcelonës, me 371 gola.

“Është një ndjenjë impresionuese të bëhem golashënuesi më i mirë në histori të klubit. Është folur shumë për të dhe tash e mbaj rekordin. Por, unë nuk do të ndalem, pasi do të kem objektiva tjerë”, përfundoi Messi, i cili konfirmoi se është i lumtur në Barcelonë dhe se nuk do të largohet prej aty deri në fund të karrierës.