Messi legjendë, sikur Pele e Maradona

Diego Milito mendon se Lionel Messi është lojtar i madh, edhe pa e fituar Botërorin. Sulmuesi i deritashëm i Interit mendon se ylli i Barcelonës ka bërë mjaft, për t’u konsideruar legjendë e futbollit.

Sport

15/06/2014 11:00

Lionel Messi është legjendë e futbollit, e fitoi ose jo Botërorin, kjo ka pak rëndësi. Ky është mendimi i Diego Militos, sulmuesit të njohur argjentinas, i cili e ka lavdëruar bashkëkombësin e tij, duke e krahasuar me dy legjendat e futbollit, Pele dhe Maradona.

“Njerëzit më pyesin se a është ky Botëror një mundësi për Messin për ta arritur nivelin e njëjtë me Pele e Maradona? Nuk pajtojem me këtë. Mendoj se, pa dyshim, Leo ka bërë mjaftueshëm për t’u konsideruar si njëri prej lojtarëve më të mirë të të gjitha kohëve, për të gjitha ato që i ka arritur”, deklaroi sulmuesi argjentinas.

“Unë e njoh atë dhe ai dëshiron ta fitojë Botërorin, pasi është ajo që është munduar ta bëë në dy Botërorët e fundit. Sot, ai është më i pjekur dhe kapiten i ekipit”.

“Ai do të japë gjithçka për ta çuar Argjentinën në pikën më të lartë, me shpresën që kjo të ndodh. Mirëpo, nuk mendoj se për të, për të qenë më i mirë, duhet të fitojë Botërorin”.

“Siç e kam thënë edhe më parë, ai ka bërë mjaft për të qenë njëri prej më të mirëve në histori të futbollit, pa asnjë dyshim”, përfundoi Milito.