Messi është legjendë, edhe pa Botëror

Ikona e Brazilit, Ronaldo, thotë se kapiteni i Argjentinës, Lionel Messi nuk duhet detyrimisht të fitojë Kampionatin botëror në mënyrë që të konsiderohet në mesin e më të mirëve në histori

Sport

10/06/2014 14:59

Legjenda e Brazilit, Ronaldo, ka mohuar sugjerimet se kapiteni i Argjentinës, Lionel Messi duhet të fitojë Kampionatin botëror në mënyrë që të konsiderohet legjendë e futbollit.

Katër herë fituesi i Topit të Artë konsiderohet si një prej futbollistëve më të mirë në histori në moshën 26-vjeç. Por, pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm me gjigantin katalan, disa kritik kanë sugjeruar se Messi duhet të fitojë edhe me Argjentinën në mënyrë që të konsiderohet në mesin e më të mëdhenjve.

Por, Ronaldo mendon ndryshe.

“Ai mund ta fitojë Kampionatin botëror. Ai nuk është pensionuar ende, apo jo? Dhe, është vetëm 26-vjeç”, deklaroi tre herë futbollisti më i mirë i vitit në botë për The Times of India.

“Për më tepër, në histori të futbollit, ka futbollistë që nuk e kanë fituar Kampionatin botëror por konsiderohen si futbollistë të mëdhenj në histori të garës. Nëse e fitoni Kampionatin botëror, atëherë statusi juaj fiton një përkrahje. Mirëpo, nëse jo, ju prapë mund të jeni në mesin e më të mirëve”, u shpreh ai.