Messi duhet të shkëlqejë, për ta fituar kontratën e re

Josep Maria Bartomeu insiston se Lionel Messi duhet ta rikthejë formën më të mirë, për ta fituar kontratën e re, të përmirësuar. Presidenti i Barcelonës ka konfirmuar se ylli argjentinas nuk do të shitet, pasi katalunasit llogarisin në 26 vjeçarin.

Sport

20/04/2014 13:01

Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu e ka hedhur poshtë mundësinë e shitjes së Lionel Messit, duke zbuluar se gjiganti katalunas planifikon ta përmirësojë kontratën e yllit argjentinas, me kusht që ai të qëndrojë në nivelin e lartë të paraqitjes, siç ka bërë në vitet e fundit.

Pas performancave të zbehta të 26 vjeçarit në ndeshjet e fundit, flitet se ai mund të largohet nga Camp Nou.

Por, Bartomeu i ka qetësuar tifozët, duke thënë se klubi nuk do ta shesë Messin, pasi llogarit në të për të ardhmen.

“Nuk është çështje nëse do t’ia ofrojmë kontratën e re atij. Ne ia kemi propozuar modifikimin e vazhdimit të kontratës, e cila do të skadojë në vitin 2018”, deklaroi shefi i Blaugrana për \’Gol a Gol\’.

“Ne duam t’ia ofrojmë atij një kontratë të përmirësuar. Krejt ajo që kërkojmë nga ai është që të vazhdojë të luajë ashtu siç ka bërë deri tash”, vazhdoi Bartomeu, i cili deshi ta mbronte përfaqësuesin argjentinas, pas kritikave që mori kohët e fundit.

“Ne ishim jo korrekt me të. Ai e ka udhëhequr ekipin për disa vite, ka bërë një punë të shkëlqyer dhe ne jemi të sigurt se ai do të vazhdojë të jetë udhëheqësi ynë. Ai po ashtu e do këtë”.

“Ai është ende i ri, është futbollisti më i mirë në botë dhe e kemi besimin maksimal në të”, përfundoi presidenti i Barçës, i cili refuzoi ta konfirmojë trajnerin Tata Martino edhe për sezonin tjetër në Camp Nou.