Messi ‘bombardoi’ Eibarin dhe theu rekorde të reja

Mbi 300 gola të shënuar në Camp Nou është një shifër vërtet impresionuese, me historinë e dashurisë mes Messit dhe publikut të tij që nisi në 1 maj të vitit 2005.

Sport

20/09/2017 15:33

Barcelona luan tenis dhe Messi garon vetëm me veten. Në fitoren 6-1 ndaj Eibarit, firmosi një katërgolësh falë të cilit theu një tjetër rekord, atë të 300 golave mes mureve mike, në Camp Nou. Golat saktësisht janë 302, dhe edhe këtë vit numrat të jashtëzakonshëm. Messi kryeson klasifikimin e golashënuesve në La Liga me 9 finalizime në 5 ndeshje, dhe Barcelona e tij edhe pse pa Neymar, një largim me peshë të konsiderueshme, ruan  rekordin perfekt me 15 pikë pas 5 javëve të para.

Mbi 300 gola të shënuar në Camp Nou është një shifër vërtet impresionuese, me historinë e dashurisë mes Messit dhe publikut të tij që nisi në 1 maj të vitit 2005. Goli ndaj Albacete erdhi në një ndeshje që përfundoi 2-0 për blaugranat me Messin që shënoi pas një asisti të Ronaldinhos në atë që rezultoi një dorëzim ideal stafete brezash mes yllit brazilian dhe jashtëtokësorit të ri Argjentinas, shkruan “SuperSport.al”.

Në Spanjë titujt e gazetave janë të gjitha për të, me Messin që kurrë nuk e kishte nisur sezonin kaq mirë. Sulmuesi ka shënuar më shumë se gjysmën e golave të Barcelonës, 12 në 21 në total ndërsa në kampionat ka shënuar 9 nga 17 gola të realizuar gjithsej nga skuadra. Leo është në sezonin e tij të 14 me fanellën blaugrana dhe në 13 sezonet e mëparshme asnjëherë nuk e kishte nisur me kaq shumë gola.

Nota e vetme stonuese mbetet gjithmonë Argjentina, një skuadër në vështirësi ku Messi ka shënuar vetëm 2 gola në 6 ndeshjet e fundit, me mediat në vendin amerikanojugur që kujtojnë se në ndeshjen e fundit në Camp Nou ishte dhe trajneri i Albiceleste Jorge Sampaoli duke i lëshuar Messit një mesazh “ruaj ndonjë gol për kombëtaren, gjeni”.