Messi, afër kontratës së re

Është tashmë çështje ditësh dhe Lionel Messi do ta vazhdojë kontratën me Barcelonën deri në vitin 2019. Me këtë rast, ylli argjentinas do të bëhet futbollisti më i paguar në botë.

Sport

08/05/2014 12:43

Leo Messi–Barcelona, përgjithmonë bashkë. Ylli argjentinas pritet ta vazhdojë shumë shpejtë kontratën me gjigantin katalunas, pas bisedimeve që zgjatën një kohë.

26 vjeçari pritet ta vazhdojë kontratën për një vit, që nënkupton se ai do të ishte pjesë e ekipit nga Camp Nou deri në vitin 2019, praktikisht deri në periudhën kur do t’i mbush 31 vjeç.

 Messi e kishte thënë gjithmonë se nuk e sheh veten diku tjetër përpos në ekipin ku u rrit. Presidenti i klubit, Josep Maria Bartomeu ka siguruar se, me kontratën e re, përfaqësuesi argjentinas do të bëhet futbollisti më i paguar në botë. Rroga e Messit mund të shkojë deri në 21 milionë euro në vit.

Messi ka fituar gjithçka me Barcelonën, duke e fituar katër herë edhe Topin e Artë, ndërsa konsiderohet njëri prej futbollistëve më të mirë në histori të futbollit.