Mësohet se si u bllokuan ndeshjet e Superligës në bastore për shkak të kurdisjeve

Kompania e basteve “Eurolive”, gjatë fundjavës së shkuar ka bllokuar mundësinë e vënies së basteve në ndeshjet e xhiros së 23’ të Superligës së Kosovës në futboll.

Sport

03/04/2017 19:32

Krejt kjo kishte ardhur pas zërave se ndeshjet ndërmjet Feronikeli – Drenica dhe Besa – Trepça janë të kurdisura.

Drejtori i kompanisë “Eurolive”, Pleurat Kastrati thotë që ndeshjet e Superligës janë bllokuar në pikat e basteve të kësaj kompanie për shkak të fjalëve që kishin dalë para ndeshjes.

“Kanë qenë në bastore këto dy ndeshje, por kanë qenë të bllokuara. Por te ne janë të kufizuara shumat e ndeshjeve të Kosovës dhe Shqipërisë. Janë bllokuar nga frika, por diçka konkrete nuk ka pasur”, ka thënë Kastrati për Insjaderi.com.

“Shumicën e rasteve del një fjalë dhe nga frika që ne mos me dalë ne në minus shumë të madh, dhe në momentin që kemi kuptuar e kemi bllokuar. Ne nuk do i kishim bllokuar për shkak të klientazhës, por këtu bëhej fjalë për shuma shumë të mëdha.

Kastrati më tej zbulon edhe një detaj tjetër. Ai thotë se ndeshjet e Superligës së Kosovës nuk kanë qenë të bllokuara gjatë javëve të kaluara.

“Gjatë javëve të kaluara nuk kanë qenë të bllokuara këto ndeshje”, tregon ai.

Para ndeshjes Besa-Trepça e cila u zhvillua të dielën në Pejë, ishin hapur dyshime se është manipuluar dhe i pari që e paralajmëroi këtë ishte kryetari i ‘Plisave’, Albert Kastrati, i cili deklaroi se rezultati i kësaj ndeshje është i ditur para se të zhvillohej, ashtu edhe doli, pasi Trepça fito në Pejë me rezultat 1:3.

Kujtojmë se edhe FFK ka marrë masa, duke dërguar në prokurori rastin e ndeshjes ndërmjet Besës dhe Trepçës.

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 7 dhe Samsung Galaxy