Mësohet dita se kur do të shpallet aktgjykimi ndaj vëllait të Unikkatilit dhe Krenar Çoçajt

Gjykata do ta shpallë aktgjykimin të hënën për rrahjen në një klub ku ishin përfshirë Krenar Çoçaj dhe Mentor Palokaj, vëllai i reperit Unikkatil.

ShowBiz

19/04/2018 14:17

Lajmin për shpalljen e aktgjykimit në këtë ditë e bënë të ditur për KALLXO.com avokatët e disave prej të akuzuarve.

Avokatja Kosovare Kelmendi që në këtë proces mbron Leonard Hajdarin në fjalën përfundimtare të paraqitur sot tha se pret që i mbrojturi i saj të shpallet fajtor për pjesëmarrje në rrahje, e jo për vrasje në tentativë.

Sipas avokates, mungojnë provat të cilat do ta argumentonin aktakuzën se Leonard Hajdari ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.

Avokati Sevdali Zejnullahu tha se pret lirim të të mbrojturit të tij Mentor Palokaj.

“U rikualifiku vepra penale nga tentim vrasje në pjesëmarrje në rrahje. Pres mbi bazën e asaj që është shqyrtuar në shqyrtimin gjyqësor, që në mungesë të provave i mbrojturi im Mentor Palokaj të lirohet nga akuza ani pse është rikualifikuar vepra penale”, tha Sevdali Zejnullahu.

Muhamet Humolli, avokati i palës së dëmtuar tha se ka kërkuar kompensim dëmi.

“Kam kërkuar kompensim të dëmit në vlerë prej 200.000 eurove sepse jeta e njeriut vlen më shumë se 200.000 euro. Pres nga gjykata që të marrë vendimin konform dispozitave ligjore”, tha Humolli.

Në këtë proces gjyqësor Krenar Çoçaj, Leonard Hajdari, Mentor Palokaj e Burak Gërdovci po akuzohen se e sulmuan Shkëlzen Shalën dhe i shkaktuan lëndime të rënda Labinot Mehmetit pas një përleshjeje në një lokal nate.

Procedura është veçuar për Gramoz Mjekun, pasi ai ndodhet në Argjentinë.

Sipas aktakuzës, sulmi i pesë të akuzuarve ndaj të dëmtuarve Shkëlzen Shala e Labinot Mehmeti kishte ndodhur në janar të vitit 2015.

Sipas aktakuzës, Leonard Hajdari e Mentor Palokaj me 2 janar të vitit 2015 në Prishtinë në një diskotekë, paraprakisht janë marrë vesh me të akuzuarin tjetër Krenar Çoçaj që ta sulmojnë Shkëlzen Shalën, i cili në ato momente ishte takuar me Labinot Mehmetin.

Në bazë të aktakuzës, përleshja kishte filluar atëherë kur Leonard Hajdari e kishte shtyre dhe kishte provuar ta grushtonte Shkëlzen Shalën, pastaj edhe Krenar Çoçaj ishte vërsulur për ta goditur atë.

Në aktakuzë thuhet se me pas kishte intervenuar punëtori i sigurimit të objektit dhe e kishte ndaluar përleshjen, mirëpo Krenar Çoçaj kishte vazhduar të shqelmonte dhe kishte filluar të fjalosej edhe me punëtorin e sigurimit.

Në aktakuzë tregohet se Krenar Çoçaj e kishte kërcënuar edhe punëtorin e sigurimit Shkelzen Imeraj, të cilit i ishte drejtuar me fjalët “kam me të vra”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, përleshja kishte vazhduar dhe Mentor Palokaj e kishte kapur për flokësh Labinot Mehmetin, ndërsa Leonard Hajdari e kishte goditur me thikë Mehmetin dy herë në gjoks dhe një herë në abdomen, me qëllimin që ta privojë nga jeta.

Aktakuza sqaron se Hajdari nuk mundi ta çojë deri në fund privimin nga jeta të Mehmetit, pasi ndërhyri punëtori i sigurimit të klubit.

Pastaj, sipas aktakuzës, tash të pandehurit kishin ikur, ndërsa Labinot Mehmeti ishte dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.

Në aktakuzë thuhet se shtytja në vrasje nga Krenar Çoçaj kishte ndodhur “për shkak të një vajze”.

Përveç Çoçajt që në këtë proces gjyqësor akuzohet për shtytje në vrasje, prokuroria i ngarkon Leonard Hajdarin e Mentor Palokaj për vrasje në tentativë, ndërsa Gramoz Mjekun e Burak Gërdovcin për  pjesëmarrje në rrahje./kallxo.com/