Mësimi tërë ditor, vitin që vjen

Komuna e Prishtinës, nga viti i ri shkollor 2015, planifikon që në pesë shkolla si pilot projekt, të fillojë mësimi tërë ditor. Sipas disa drejtorëve të shkollave, edhe pse ide e qëlluar, ka pak gjasa të realizohet për shumë arsye.

Lajme

11/12/2014 08:19

Nga viti 2015, Komuna planifikon që në pesë shkolla fillore, si pilot projekt, të fillojë me procesin e mësimit tërë ditor, shkruan sot “Zëri”.

Përveç fillores “Model”, që dihet se do të jetë njëra ndër shkollat e cila do ta aplikojë këtë, ende nuk dihet se cilat do të jenë shkollat tjera që do të përfshihen në këtë projekt.

Drejtoresha e Arsimit Komunal, Arbërie Nagavci, i ka thënë “Zërit”, se pas pesë shkollave për fillim, viteve tjera do të vazhdohet me këtë projekt duke e zgjeruar edhe në shkollat e tjera.

“Drejtoria e shkollës ‘Model’ e ka konfirmuar se kjo shkollë veç është e gatshme për këtë projekt, pasi ka infrastrukturë të mirë”.

“Ndërkaq, në mbledhjen e ardhshme me drejtorët e shkollave që do të mbajmë do të njoftojmë të gjithë drejtorët për këtë projekt. Edhe aty ku kanë interesim të bëhet kjo, do të fillojmë”, ka thënë ajo, duke shtuar se tashmë është filluar të punohet rreth asaj se si do të zhvillohen aktivitetet, çka do të ketë, etj.