Leksionet që mori Shqipëria nga humbja prej Austrisë

Shqipëria pësoi humbjen e shtatë në po kaq përballje historike me Austrinë. Por, pavarësisht statistikave aspak të favorshme dhe faktit që kuqezinjtë pësuan dy gola të evitueshëm, vlerat e sfidës në Vjenë nuk mund të mohoen.

Sport

27/03/2016 11:45

Austriakët i treguan Shqipërisë, se çfarë e pret realisht në finalet e Euro 2016. Gjithçka që ndodh në futbollin e madh, është krejt ndryshe nga ajo me të cilën Kombëtarja është përballur në historinë e saj.

Së pari, në nivele të tilla është e rrezikshme, për të mos thënë vetëvrasje të provosh të luash duke u mbrojtur në zonën e 20 metrave nga porta.

Edhe pse me një teknik italian në stol si Gianni De Biasi, përfaqësuesja është larg “katenaços” së Italisë, që në disa raste mund të garantojë paprekshmërinë e portës.

Gabimet konfirmuan se kur i lejojnë kundërshtarëve supremaci në të gjithë fushën, kuqezinjtë pësojnë gola. Skuadra vuan ritmin e kundërshtarëve dhe markimi zonal nxjerr në dukje pikat e dobta të skuadrës: nga gafat, te problemet në organizim në fazën difensive, ndërsa trancizioni i lojës drejt kundërsulmeve nuk mjafton.

Presingu i lartë i praktikuar thuajse gjatë gjithë fraksionit të dytë, evidentoi forcën e skuadrës, që edhe falë lojës fizike nuk i lejon kundërshtarët të organizohen, zbeh kualitetin e lojtarëve më të mirë të tyre dhe madje arrin të shënojë.

Leksioni më i vlefshëm që Shqipëria mori në Ernst Happel Stadion të Vjenës ishte fakti se përveç organizimit të mirë në mbrojtje, skuadra duhet të guxojë, për të vendosur në vështirësi rivalët. Loja me bariqendër më të lartë në fushë, e lejon Shqipërinë të mbrohet më mirë, duke bërë që porta të rrezikohet pak, por mbi të gjitha i jep frymëmarrje skuadrës, e cila e ka më të lehtë të shfrytëzojë vertikalizimet dhe kualitetin e individëve për të tentuar portën kundërshtare.

Pasi eksperimentoi disa skema në fushë, De Biasi mori gjithashtu indikacione të rëndësishme për formën e lojtarëve dhe mënyrën sesi mund ti shfrytëzojë ata në ndeshjet e grupit.

Në Euro 2016 nevojitet pikërisht Shqipëria e 45 minutave të dyta në Vjenë. Një skuadër që lufton në çdo metër të fushës, që mbron lart dhe me kujdes, e mbi të gjitha që nuk ka frikë të tentojë ti ndëshkojë kundërshtarët. Vetëm kështu pjesëmarrja historike në Kampionatin Europian nuk do të kthehet në zhgënjim dhe Shqipëria mund të provojë të jetë surpriza e madhe e evenimentit në Francë, shkruan Supersport.al