Mësimdhënësit në grevë njëorëshe

Sot ora e parë e të dy ndërrimeve në të gjitha shkollat e Kosovës nuk do të mbahet. Kështu ka vendosur Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës. Greva do të mbahet në shenjë proteste për mos zbatimin e 4 pikave të Kontratës Kolektive.

Lajme

13/01/2015 08:26

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ditë më parë ka thënë se një vendim i tillë u morr për shkak se nuk dihet sigurt ende nëse do të implementohet Kontrata Kolektive në sektorin e arsimit.

Kjo gjë sipas tij do të merret vesh në pagën e parë të janarit dhe deri atëherë pasi që asgjë nuk është e sigurt do të fillohet me veprime sindikale.

Jasharaj, që është edhe kryetar i Këshillit Qendror Grevist, do vizitoj sot grevën e filluar nga mësimdhënësit në Prishtinë. Kurse, nënkryetarii SBASHK-ut, Rexhep Sadiku , do vizitoj grevën e filluar nga mësimdhënësit në Ferizaj.

Kurse, Këshilli i Prindërve të Kosovës ka reaguar ndaj kësaj greve, duke i kërkuar kryesisë së SBASHK-ut që të përdorë metoda tjera sindikale për realizimin e kërkesave të tyre e kurrsesi një veprim të tillë mos ta bëjnë në kurriz të nxënësve dhe prindërve.

Katër pikat e parealizuara deri më tash nga Kontrata Kolektive janë shujta- 2 euro për çdo ditë pune, kompensimi prej 0,5 përqind për çdo vit të shërbimit, kompensimi prej 70 përqind për biletat e udhëtimit për mësimdhënësit me rastin e pensionimit dhe tri paga mesatare për mësimdhënësit me rastin e pensionimit.

Kontrata Kolektive është nënshkruar në mars të vitit të kaluar dhe përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës në atë kohë kishin theksuar se do të jenë garantues të zbatimit të kësaj marrëveshjeje dhe se do të sigurojnë përmbushjen e të drejtave që iu takojnë punëtorëve, raporton KosovaPress.