Meshkujt ndjekin rrugë më të shkurtra, ndërsa femrat rrugët që i njohin

Meshkujt dhe femrat përdorin strategji të ndryshme navigimi, tregon hulumtimi i ri. Meshkujt kanë më shumë të ngjarë të ndjekin rrugë më të shkurtra, ndërsa femrat i preferojnë rrugët e njohura.

Fun

03/06/2018 23:26

Studiuesit në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara, kërkuan nga dy grupe pjesëmarrësish që të njihen me një labirint të simuluar në një kompjuter, duke i përfshirë pikat kyçe të cilat mund t’i ndihmojnë ata ta navigojnë rrugën e tyre, transmeton Koha.net. Më pas, grupeve të meshkujve dhe femrave iu kërkua të kalonin nëpër labirint.

Rezultatet – të publikuara në revistën Memory & Cognition – treguan se meshkujt kishin tendencë të ndiqnin rrugë më të shkurtra dhe ta arrinin më shpejt destinacionin e tyre, ndërsa femrat e ndoqën rrugën me të cilën ishin më të njohura.

“Në përgjithësi, hulumtimi ynë tregon se dallimi gjinor në efikasitetin e navigimit është i madh dhe kjo pjesërisht lidhet me strategjinë e navigimit”, tha studiuesi Alexander Boone në një njoftim për shtyp. “Meshkujt ishin dukshëm më efikas se femrat, edhe pas kontrollimit të efekteve të strategjisë”.

Megjithëse kishte femra pjesëmarrëse që ishin po aq efikase në navigim sa edhe performuesit më të mirë meshkuj, në mesatare femrave iu desh më shumë kohë që të arrinin në destinacionet e tyre. Femrat gjithashtu kishin më shumë të ngjarë ta humbnin rrugën.

Humbja e rrugës sugjeron se pjesëmarrësit nuk ishin në gjendje të njiheshin me pikat kyçe të nevojshme për një navigim efikas, përcjell Koha.net. Mosefikasiteti i naviguesve femra mund të shpjegohet me paaftësinë për ta mësuar planin e peizazhit virtual në kohën e caktuar.

Mospërputhja mund ta tregojë një ndryshim në mënyrën se si meshkujt dhe femrat fitojnë njohuri hapësinore.

“Është gjithashtu e mundur që dallimi gjinor në efikasitet ndodh pjesërisht për shkak të objektit me ndërfaqe ose navigimit në mjediset virtuale, pasi që meshkujt kanë tendencë të kalojnë më shumë kohë duke luajtur video lojëra”, tha Boone.