Mesazhi i protestave, sipas Kim Mehmetit

Kim Mehmeti thotë se protestat e të rinjve kundër demontimit të armëve kimike në Shqipëri, kanë filluar të njollosen si antiamerikane e histerike. Kjo, sipas tij, po bëhet nga frika se kjo rinia do mund ta pastrojë shqiptarinë edhe nga helmet politike.

Lajme

21/11/2013 08:36

Publicisti i njohur shqiptar nga Maqedoni, Kim Mehmeti, ka vlerësuar lartë protestat e zhvilluara në Tiranë kundër shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë në Shqipëri.

Mehmeti ka shkruar në faqen e tij në rrjetin social ‘Facebook’ se këto protesta kanë dëshmuar se kemi  një  rini që ka guxim e vullnet të merr përgjegjësi për të ardhmen e saj.

“Protestat e të rinjve shqiptarë kundër demontimit të armëve kimike në Shqipëri, kanë filluar të njollosen si antiamerikane, si politike, si histerike… edhe atë me metoda tipike ‘enveriste’”.

“E në të vërtetë, ato ishin dëshmi se kemi rini të ‘amerikanizuar’, të depolitizuar dhe rini që ka guxim e vullnet të merr përgjegjësi për të ardhmen e saj”.

“E dini pse bëhet ky satanizim: nga e frika se rinia që e mbron vendin nga helmi i armëve kimike, do mund ta pastrojë shqiptarinë edhe nga helmet politike e partiake, që na kanë helmuar aq shumë sa të mos e shohim se edhe mirënjohja e besnikëria e përjetshme mbarëshqiptare ndaj SHBA’ve, aq është ‘privatizuar e partizuar’, sa është ngritur në rrafshin e prirjeve personale të prijësve partiak!”, ka shkruar Mehmeti.