Mesazhi amerikan për Ramën: Nuk do ta harrojmë votimin, do ta kujtojmë kur të keni nevojë për neve

“Këtë nuk kemi për ta harruar”. Ambasadorja Amerikane në OKB, Nikki Haley iu kthye kërcënimeve në votimin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku me një shumicë dërrmuese votash, u miratua rezoluta kundër njohjes së Jeruzalemit si kryeqytetit i Izraelit nga SHBA.

Bota

22/12/2017 17:17

Me këtë akt kolektiv sfide, Asambleja injoroi kështu hapur paralajmërimet e administratës së Trumpit se kombeve që do t’i dilnin kundër, do t’iu ndërpritej ndihma financiare. Haley u kujdes të kujtonte dhe një herë se Shtetet e Bashkuara nuk do ta harrojnë këtë ditë në të cilën, sic tha ajo, u vecuan për t’u sulmuar për vetë aktin e ushtrimit të së drejtës së tyre si vend sovran.

“Ne do ta kujtojmë këtë kur të na kërkohet përsëri të japim kontributin tonë në Kombet e Bashkuara, organizmi më i madh në botë. Do ta kujtojmë gjithashtu kur shumë vende të vijnë e të na kërkojnë, sic bëjnë aq shpesh që ne të paguajmë akoma më shumë dhe të perdorim ndikimin tonë në dobi të tyre”, deklaroi ambasadorja.

Por, ministri i Jashtëm palestinez, Riyad al-Maliki e pati më herët një përgjigje dhe për këtë paralajmërim.

“Historia është ajo që regjistron emrat, emrat e atyre që i qëndrojnë asaj cfarë është e drejtë dhe të atyre që flasin gënjeshtra. Sot ne jemi kërkues të të drejtave dhe të paqes”, u shpreh ai.

Në mbyllje të votimit në OKB, 128 vende u shprehën pro rezolutës, 9 kundër dhe 35 abstenuan.

Shqipëria votoi pro saj. Në faqen e saj në Facebook, Haley përcolli një vlerësim për të gjitha shtetet, që sic tha ajo, nuk ranë pre e papërgjegjshmërisë së Kombeve të Bashkuara. Në listën e Ambasadores ishin vendosur edhe vendet që abstenuan gjatë votimit të së enjtes.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë preferoi të mos komentonte mbi vendimin e Tiranës zyrtare, por në reagimin e tij mbi votimin në OKB, misioni diplomatik i Shteteve të Bashkuara në vendin tonë mjaftohet me pohimin e përgjithshëm se “deklarata e Presidentit afirmoi realitetin e tanishëm dhe historik të Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit dhe se SHBA-ja, që pranoi kësisoj të vërtetën e thjeshtë se Jeruzalemi është qendra e legjislaturës, kryeministrit dhe Gjykatës së Lartë të Izraelit, do të vazhdojë punën e saj për paqen me shpresën se ky proces do të ofrojë rezultatin më të mirë si për popullin izraelit, ashtu dhe për atë të palestinez”. /topchannel