Merreni me palestër? Ja kur sporti është i pashëndetshëm…

Inflamacioni i muskulit të zemrës (miokarditi) mund të shkaktojë edhe vdekjen. Cilat janë simptomat e kësaj sëmundjeje dhe kur është sporti i pashëndetshëm?

Lifestyle

03/12/2017 22:52

Kundërshtarët e mjekes Ursula Hildebrant janë shumë të vegjël, shihen vetëm nën mikroskop. Megjithatë, ata edhe mund të vrasin. Këto janë mikrobe të cilat përmes qarkullimit të gjakut arrijnë deri te zemra dhe shkaktojnë inflamacionin.

Ursula Hildebrant punon në Fakultetin e sportit dhe edukatës fizike në Köln. Ajo shëron sportistët që janë të sëmurë nga inflamacionet e muskulit në zemër. Nëse vjen deri te kjo sëmundje, zemra nuk mundet të pompojë më sasinë e mjaftueshme të gjakut në organizëm.

“Në parim çdo kush mund të preket nga kjo sëmundje. Edhe sportistët, edhe njerëzit të cilët çdo ditë qëndrojnë të ulur në divan”,- tha Hildebrant për “DW”.

Megjithatë, sportistët dhe njerëzit fizikisht aktivë janë më shumë të ekspozuar ndaj rrezikut. Në shumë raste deri te inflamacioni i muskulit të zemrës, miokarditisi, vjen kur njerëzit fillojnë të ushtrojnë me intensitet të lartë, pasi që kanë tejkaluar ndonjë infeksion.

Kur është e rrezikshme marrja me sport?

Atëherë kur organizmi është i dobësuar nga ndonjë sëmundje. Në parim çdo organizëm është më i ndjeshëm ndaj infeksioneve menjëherë pas aktiviteteve sportive, sepse gjaku atëherë kalon më shpejt nëpër zemër.

Pas valvulave të zemrës paraqiten vorbullat e sforcuara në gjakun i cili qarkullon. Prandaj shkaktarët e inflamacionit mund më lehtë të gjenden dhe të mbesin në hapësirën menjëherë nën valvul. Pasoja e kësaj mund të jetë inflamacioni i muskulit të zemrës, transmeton Mapo.al.

Prandaj është shumë e rëndësishme që çdo sëmundje të “kalohet” si duhet. Para se të fillohet, për shembull me vrapim, duhen të kalojnë së paku dy ditë nga temperatura e lartë e fundit, të cilën e keni pasur. Përveç kësaj, gjatë pastrimit të hundës me faculetë nuk duhen të mbesin gjurmë të verdha-gjelbra. Kjo është shenjë që bakteret janë ende në organizëm,

Për Ursula Hildebrant problem të veçantë paraqet ajo që shkaktarët e inflamacionit të muskulit të zemrës shkaktojnë simptoma të ndryshme. Ato fillojnë nga “mungesa e frymëmarrjes” dhe dhimbjet në gjoks, e deri tek tensioni i rritur dhe djersitja gjatë natës.

Pikërisht këto janë arsyet që diagnozat e sakta shpesh vijnë shumë vonë. Ndërsa kjo mund të jetë bombë e vërtetë me sahat: nëse i sëmuri papritmas i ekspozohet lodhjes fizike, inflamacioni i pazbuluar i muskulit të zemrës mund të shkaktojë ndërprerje në punën e zemrës dhe vdekje.

Atleti gjerman Rene Herms në vitin 2000 është gjetur i vdekur në banesën e vet. Autopsia ka vërtetuar shkakun e vërtetë të vdekjes. Herms kishte vdekur nga pasoja e inflamacionit të pazbuluar të muskulit në zemër dhe ka vdekur pas treningut.

E njëjta gjë ka mundur t’i ndodhte edhe Fabian Spinrathit. Në raftin në dhomën e tij gjenden shumë trofe dhe medalje. E gjitha ka filluar ashtu që ky atlet 18 vjeçar pas një gare ka ndjerë lodhje të madhe.

“Kjo është e zakonshme, por është normale që lodhja të largohet pas dhjetë minutash pushim. Unë pas garës kam fjetur pesë orë”,- shkruan Fabian.

Mjeku i tij ka menduar që ësht fjala për ndonjë infeksion dhe i ka përshkruar antibiotikë. Pasi që edhe pas një muaji e gjysmë simptomat ende nuk ishin zhdukur, kontrollet e detajuara kanë treguar që ishte i sëmurë nga inflamacioni i muskulit të zemrës.

Gjashtë muaj të plotë është dashur të bënte pauzë me trajnimet. Deri te banesa ka shkuar me lift në vend se me shkallë. Vrapimi – i ndaluar! Në ndërkohë muskuli i zemrës është shëruar dhe ka vazhduar të merret me sport.

“Nëse do të kishte filluar të ushtronte para kësaj pauze të përshkruar, kjo do të mund të shkaktonte dëmtime afatgjate të zemrës”,- paralajmëron Ursula Hildebrant. Ajo thotë që çdo sëmundja është rast më vete, por që kryesisht vlen rregulla që është e domosdoshme që të paktën gjashtë muaj të abstenohet nga sporti dhe alkooli.

Po ashtu, e rëndësishme është të pushohet dhe sa më shumë të flihet.

Kundërshtarët e Ursula Hidebrant ndoshta edhe janë mikroskopikisht të vegjël, por nga ata mund të mbroheni: çdo infeksion duhet kalohet me pushim dhe të dëgjohen mirë sinjalet që na i dërgon trupi ynë.