Merovci demanton diplomatin serb: Rugova nuk ka negocuar me Millosheviqin në Dayton

Sipas një diplomati serb, njeri i afërt me Millosheviqin, Ibrahim Rugova, në vitin 1995 po qëndronte në një hotel në afërsi të vendit ku po mbahej konferenca e Daytonit në shtetin e Ohajos. Aty amerikanët po përpiqeshin t’u jepnin fund luftërave jugosllave.

Lajme

30/01/2018 16:02

Bashkëpunëtori më i afërt i Rugovës, Adnan Merovci, ka thënë për Gazetën Express se Rugova nuk ishte as afër vendit ku po zhvilloheshin bisedimet e as në Amerikë.

Lideri i Kosovës gjatë viteve të ’90-ta, ish-Presidenti Ibrahim Rugova, ishte kritikuar shumë që Kosova nuk ishte përfshirë në bisedimet e vitit 1995 në Dayton të Ohajos, në Amerikë. Në këtë konferencë kishin marrë pjesë lideri i Serbisë, Slobodan Milloshevic, Presidenti i Kroacisë, Franjo Tugjman dhe Presidenti i Bosnjes, Alija Izetbegoviq.

Por, për herë të parë, diplomati serb, Nebojsa Vujoviq, thotë se bashkë me tre liderët ballkanikë kishte qenë edhe Presidenti Rugova, vetëm se jo në konferencë, por në një hotel afër ku po priste propozimet amerikane për Kosovën.

Por,  kjo është mohuar nga bashkëpunëtori i Rugovës, ish-truproja i tij, Adnan Merovci, i cili e ka shoqëruar ish-Presidentin në çdo hap të tij gjatë veprimtarisë së viteve të ’90-ta.

Merovci, i kontaktuar nga Gazeta Express, ka thënë, se në kohën kur po zhvilloheshin bisedimet në Dayton, Rugova nuk kishte qenë as në Amerikë.

“Presidenti Rugova nuk ka qenë fizikisht as në margjina, as rreth, as afër vendit dhe këtë e them me kompetencë”, ka treguar bashkëpuntori i Rugovës.

Ai përmend se në çdo vizitë të Rugovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ka shoqëruar personalisht ai dhe udhëtimi në Ohajo nuk ka qenë njëra nga ta.

“Ka pasur shqiptaro-amerikanë dhe patriotë tonë që ndodhën në Amerikë dhe lobues që kanë shkuar edhe kanë avokuar për çështjen e  Kosovës, por vet Presidenti Rugova nuk ka qenë”, ka shtuar ai.

Kundërshtarët e Ibrahim Rugovës në Kosovë, mungesën e Kosovës në Dayton ia atribuojnë si dështim, por Merovci thotë se edhe asokohe Rugova kishte menduar që Daytoni nuk është zgjidhje për Kosovën.

“Prej kësaj retrospektive, mendoj një nga margaritarët e historisë së asaj kohe ka qenë që Kosova fare s’ka hyrë në atë konferencë , përndryshe do të ishte trajtuar si çështje e dorës së tretë dhe mendoj që a qenë fakt, edhe pse edhe bashkëpunëtorët kanë mëndu që kemi humbur shumë. I vetmi Rugova ka qenë ai që ka mëndu që nuk duhet të hyhet në të”, ka thënë Merovci për Express.

Vujoviq në librin “Fluturimi i fundit nga Daytoni” ka shkruar edhe për Slobodan Milosheviqin, i cili ka përfaqësuar serbët në konferencën e vitit 1995, Presidentin e Serbisë e ka cilësuar si një “takticient të shkëlqyer, por strateg të dobët”.

Sipas Vujoviqit, pala amerikane në këtë konferencë ia ka propozuar një zgjidhje Millosheviqit për Kosovën e cila nuk i ka pëlqyer fare. Madje, kur autorit të librit i ishte dorëzuar propozimi për t’ia dërguar Millosheviqit, ai ia kishte përplasur në kokë.

Sipas Vujoviqit, në Dayton për Kosovën është propozuar “autonomi e lartë me të cilën shqiptarët do t’i kishin i institucionet e veta”. Madje, sipas tij, afër bazës ndodhej edhe Ibrahim Rugova, deri atëherë udhëheqësi i pakontestuar i Kosovës.

“Në hotelin, jo larg bazës ku zhvilloheshin negociatat ishte akomoduar Ibrahim Rugova”, shkruan diplomati serb.

“Millosheviq e lexoi propozimin, u skuq nga zemërimi dhe më goditi me ato letra. Unë i mblodha ato nga dyshemeja, kam dëshmitarë. Ai tha se një hap të tillë (zgjidhje për Kosovën), nuk do ta mbijetonte në opinion”, ka shkruar ai.

Sipas diplomatit serb askush nga delegacioni serb nuk kishte marrë guxim t’ia prezantonte “zgjidhjen” për Kosovën, madje dikush nga delegacioni kishte thënë se “do të më vriste po t’ia dërgoja këtë dokument”.

“I tërë delegacioni frikësohej nga Millosheviqi askush nuk guxonte t’i trokiste në dyer”, ka shkruar ai.

Siç dihet, Serbia më vonë është detyruar të marrë pjesë në një konferencë tjetër ndërkombëtare për Kosovën në Rambouillet të Francës, e cila çoi në bombardimet e NATO-s ndaj forcave serbe dhe përfundimisht në pavarësimin e Kosovës nga Serbia.