Merkel ”vulos” çështjen e kufijve

Disa javë pasi kanë nisur paralajmërimet për korrigjim të kufijve mes Kosovës e Serbisë është deklaruar edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, me ç’rast ka thënë prerazi se integriteti territorial i shteteve të Ballkanit është i pacenueshëm dhe se nuk do të ketë ndryshim të kufijve.

Lajme

15/08/2018 08:13

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se deklarata e Merkelit dëshmon qartazi se nuk do të ketë lëvizje të kufijve, pavarësisht paralajmërimeve të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se në kuadër të fazës finale do të diskutohet për bashkimin e Luginës me Kosovën.

Zotimet e tilla të Thaçit, bashkë me premtimet e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, për ndarje të serbëve nga shqiptarët e Kosovës, sipas tyre po bëhen me qëllimin e vetëm, që ta përgatisin opinionin për kompromisin i cili do të arrihet në fund të procesit.

Në anën tjetër, përderisa Thaçi e ka mirëpritur deklaratën e kancelares gjermane, Vuçiq ka thënë se tërë bashkësia perëndimore po e konsideron Kosovën si një territor të pandashëm.

Thaçi mirëpret deklaratën e Merkelit

Një ditë pas deklarimit të Merkelit ka reaguar presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, me ç’rast ka ftuar vendet e BE-së që ta bindin Serbinë ta njohë Kosovën në kufijtë aktualë.

“E përshëndes deklaratën e kancelares Angela Merkel rreth pacenueshmërisë së kufijve në Ballkanin Perëndimor. Krejt çka mbetet të bëhet është që shumica e vendeve të bashkimit Evropian t’i bindin pesë vendet mosnjohëse dhe Serbinë ta njohin Kosovën me kufijtë që i ka. Sa më shpejt që të arrihet kjo, aq më mirë për rajonin”, ka deklaruar Thaçi.

Ndërkohë Bekim Çollaku, shef i stafit të presidentit Thaçi, ka thënë për “Zërin” se deklarata e fundit e kancelares gjermane përputhet në plotësi me qëndrimin e institucioneve të Kosovës.