Merkel – Rama, optimizëm për statusin e kandidatit

Kancelarja gjermane Angela Merkel, të hënën, pas takimit me homologun e saj shqiptar, Edi Rama, tha se Shqipëria do ta marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, porse kur, varet nga raporti që do të jep Komisioni Evropian.

Lajme

01/04/2014 13:59

Pas takimit, Rama dhe Merkel kanë dalë në një konferencë për shtyp, ku theksi kryesor ishte statusi i vendit kandidat të Shqipërisë.

Merkel është shprehur se ‘do të ketë një qasje pozitive, por gjithçka do të varet nga raporti i Komisionit Europian.

“Ne trajtojmë vendet në bazë të raportit të Komisionit Europian. Në qershor do të marrim një raport të ri. Komisioni do t’i ketë regjistruar përparimet në Shqipëri dhe ne do t’i shikojmë me vështrim pozitiv dhe do të vendosim me vështrim pozitiv. Çështja nuk shtrohet a do ta marrë statusin, çështja shtrohet se kur do ta marrë. Pra, varet nga raportet që do të na vijnë”, tha Merkel, raporton Top Channel.

Merkel theksoi se lufta kundër krimit dhe korrupsioni, pavarësia e gjyqësor, shteti ligjor janë standarde shumë të rëndësishme për t’u arritur dhe se KE i sheh me vëmendje këto procese.

“Jemi të mendimit se perspektiva europiane është e nevojshme për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për Shqipërinë. Lufta kundër krimit dhe korrupsioni, pavarësia e gjyqësort, shteti ligjor, janë standarde shumë të rëndësishme për t’u arritur. Komisioni Europian po i ndjek këto procese dhe do të paraqesë një raport, ndërkohë ne i ndjekim me vëmendje zhvillimet. I uroj suksese Kryeministrit në punën e tij të vështirë, sepse unë e di që nuk është e lehtë të realizohen këto projekte”, tha Merkel, e cila bwri me dije se është ftuar për një vizitë në Shqipëri, se se do ta realizojë brenda vitit.

Nga ana e tij, kryeministri Rama, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen gjermane, theksoi se në takimin me Merkel foli lidhur me ecurinë e punëve të Shqipërisë dhe rolin e saj për ta çuar më tutje projektin e madh të integrimit Europian.

“E sigurova kancelaren se Qeveria jonë është plotësisht e vendosur për të ecur në rrugën e modernizimit të reformave që do të garantojnë një luftë reale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shqipëria kërkon të ecë më shpejt drejt Europës, por duke konsideruar gjithmonë Europën destinacionin brenda nesh dhe integrimin europian një proces të patjetërsueshëm për modernizimin e vendit tonë”, u shpreh Rama.

“Vendi ynë është në Europë dhe ne do të bëjmë gjithçka ditë pas dite, që të meritojmë atë respekt dhe të meritojmë atë vend që shqiptarët aspirojnë dhe që me ndihmën e Gjermanisë, me ndihmën e kancelares, me ndihmën e gjithë partnerëve tanë europianë, ne do të mund t’ia japim duke bërë si duhet gjithë detyrat tona në një proces që nuk është i shkurtër, është një instrument i jashtëzakonshëm për modernizimin dhe europianizimin e Shqipërisë”, tha Rama.