Merkel: Perspektiva europiane e ka ndryshuar Ballkanin e viteve ’90

Duke folur për luftërat në Ballkan në vitet 1990, Merkel tha se tashmë vendet e këtij rajoni i kanë tejkaluar kohërat e vështira.

Lajme

05/04/2014 20:52

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel gjatë fjalimit të mbajtur në takimin e Partisë Kristian Demokrate, duke folur për zgjedhjet parlamentare europiane, iu referua takimit që pati pak ditë më parë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Duke folur për luftërat në Ballkan në vitet 1990, Merkel tha se tashmë vendet e këtij rajoni i kanë tejkaluar kohërat e vështira.

“…Çfarë është realizuar në këto 100 vjet, na jep arsyen për të votuar më 25 maj. Ne drejtohemi nga motoja themeluese e Unionit Kristian Demokrat: Me besim të plotë te Zoti, ne dëshirojmë të ndërtojmë për fëmijët dhe nipërit tanë një të ardhme të lumtur”.

“Çdo brez ka sfidat e tij. Para 25 vjetësh, kur ra muri i Berlinit, dikush mendoi se ne nuk kemi nevojë të flasim më për paqen dhe lirinë në Europë. Pastaj përjetuam në vitet 90-të, luftërat e tmerrshme në Ballkan”, tha kancelaria gjermane, raporton gazeta Shekulli.

Merkel pastaj tha se këtë javë u takua me kryeministri e ri të Shqipërisë. “Ai më tregoi për një takim të të gjithë kryeministrave të Ballkanit Perëndimor tek BERZH në Londër, ku ata për herë të parë mund të qëndronin me njëri-tjetrin si kryeministra, megjithë diferencat e shumta që nga Kosova, Serbia, Kroacia, Shqipëria dhe Maqedonia, çdo gjë është e drejtë. Ai më tha se për herë të parë mund të bisedonim me njëri-tjetrin për të ardhmen tonë, dhe nuk mendonim në mënyrë armiqësore për njëri-tjetrin.

Pa perspektivën europiane për Ballkanin Perëndimor, kjo do të ishte e pamundur dhe kjo është çka ne kemi arritur/krijuar në vitet e fundit, të dashur miq, dhe kjo është e mrekullueshme”, përfundoi Merkel fjalën e saj në takimin e partisë së saj.