Merkel para se të pensionohet, kërkon zgjidhje për Kosovën

Angela Merkel dëshiron që para se të shkojë në “pension politik” të arrijë një zgjidhje përfundimtare për Kosovën.

Lajme

15/11/2018 10:27

Kancelarja gjermane Angela Merkel dëshiron që para se të shkojë në “pension politik” në fund të mandatit të saj, që zgjatë deri më 2021, Beogradi dhe Prishtina të arrijnë marrëveshje për normalizimin e raporteve.

Ajo po ashtu do të vazhdojë me të “gjitha forcat” të insistojë për një zgjidhje për Kosovën në muajt e ardhshëm, raportojnë burime diplomatike të “Danas” nga Berlini, përcjell lajmi.net.

Merkel thuhet se dëshiron ta mbyll karrierën e saj të pasur politike me një zgjidhje përfundimtare për Kosovën.

“Kancelarja gjermane është shumë e interesuar për vazhdimin e negociatave mes Beogradit dhe Prishtinës. Marrë parasysh interesimin kryesisht të vogël të akterëve të tjerë të Evropës perëndimore, Merkel beson se Gjermania ka përgjegjësi të angazhohet në gjetjen e një zgjidhjeje për Kosovën”, shkruan “Danas”.

“Angazhimi i saj po ashtu është i motivuar edhe nga besimi i zgjerimit të Bashkimit Evropian, si arma më efikase për stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Marrë parasysh se Serbia e as Kosova nuk mund të bëhen anëtare në BE pa një marrëveshje mes vete, Merkel do të mundohet që të shtojë presionin ndaj të dyja palëve në kërkim të një zgjidhjeje të pranueshme për palët, dhe për bashkimin Evropian”, shpjegojnë burimet diplomatike të “Danas”. /Lajmi.net/