Merkel në vendin e buzëqeshjeve

Në zgjedhjet e së dielës, drama e vërtetë ndodhi jo në mes të partive kryesore të vendit, por në majet e spektrit politik. Pyetja është se a do të mund të krijohet një koalicion i gjerë.

Opinion

26/09/2013 19:31

Mbaruan zgjedhjet në Gjermani. Eshtë e qartë se kush janë fituesit dhe kush janë humbësit, dhe peisazhi politik ka ndryshuar thellësisht. Drama e vërtetë, megjithatë, ndodhi jo në mes të partive kryesore të vendit, por në majet e spektrit politik.

Kancerlarja Angela Merkel është duke kremtuar një fitore të thellë, me partinë e saj Bashkimin Kristiano-Demokrat (CDU) duke arritur pak më pak se sa një shumicë absolute në kuvend. Por shkalla e triumfit të saj është më së shumti rrjedhojë e shkatërrimin të partnerit të saj të koalicionit liberal, Partia e Demokratëve e Lirë (FDP), e cila nuk do të përfaqësohet në Bundestag për herë të parë në historinë e Republikës Federale Gjermane.

Liberalët gjithmonë kanë qenë pjesë kyçe e demokracisë gjermane të pasluftës; tashmë ata u zhdukën. Përgjegjësia për këtë mbetët së pari dhe kryesisht me FDP’në. Asnjë parti qeverisëse nuk mund të jap llogari për ministra dhe udhehëqësi mjerisht aq jokompetentë; Merkel vetëm kishte për të ndejtur qetë dhe për të vëzhguar vetëvrasjen publike të liberalëve gjatë katër viteve të fundit.

Partitë opozitare, gjithashtu, kanë paguar për pamundësinë e tyre për të kuptuar realitetin. Ekonomia është gjallëruar, papunësia është e ulët, dhe shumica e gjermaneve i kanë kushtet më të mira tash se sa i kishin ndonjëherë më parë. Por, në vend se të përqëndrohen në dobësitë e qeverisë – energjia, Europa, arsimi, dhe politikat për familje – ata rrezikuan fatin e tyre politik mbi drejtësinë shoqërore. Fushata Panglossiane e Merkel i shkoi shumë më përshtati ndienjave të elektoratit gjerman se sa tristesse e partive opozitare lidhur me vuajtjet e klasës punëtore, e cila është kuptuar mirë si një tentativë për të rritur taksat.

Shumicat qeverisëse (dhe prandaj zgjedhjet) në Gjermani gjithmonë fitohen në qendër. Paraardhësi i Merkelit, udhëheqësi i Partisë Social-Demokrate (SPD) Gerhard Schroder, e dinte këtë mirë. Por kësaj radhe kundërshtarët e saj – SPD, Die Linke (E Majta), dhe Partia e Gjelbër – iu ikën qendrës dhe kanibalizuan njëri tjetrin në Të Majtën. Çështja e udhëheqjes e bëri këtë edhe më të vështirë – Peer Steinbruck i SPD’së dhe Jurgen Trittin i të Gjelbërve nuk kishin as gjasat më të vogla kundër Merkel dhe Ministrit të Financave Wolfgang Schauble.

Faktori i ri i vetëm e që pati mundësinë të sjellë ndryshim struktural në politikën gjermane ishte rritja e partisë së re Alternativa për Gjermaninë (AfD). Edhe pse përqindja që arriti të votës popullore ishte pak më pak se pragu zgjedhor i Bundestagut prej 5%, partia ia doli befasisht mirë. Nëse udhëheqja e saj mund të ndërtojë nga ky sukses, AfD do të jetë lajm në zgjedhjet e Parlamentit Europian të pranverës së ardhshme.

Vërtet, AfD ia doli mirë në Gjermaninë lindore – ku tre palë zgjedhje shtetërore do të mbahën në 2014 – duke marrë shumë vota nga E Majta. Kjo nënkupton që AfD mund të zë vend të përhershëm në peisazhin politik gjerman, gjë që do të bënte rikthimin e FDP aq më të vështirë.

Megjithatë, pavarësisht nga vetëshkatërrimi i FDP’së dhe strategjia katostrofike zgjedhore e partive opozitare, Merkelit i duhet një partner i koalicionit. E Majta nuk është opsion, dhe çfarëdo përpjekjeje për të ndërtuar koalicion me Partinë e Gjelbër – një parti që do të jetë në rimëkëmbje nga goditja e përformancës së keqe për një kohë të gjatë – do të sillte jostabilitet.

Pra, Gjermanisë do t’i mbetët mundësia e një koalicioni të gjerë – ashtu siç deshi elektorati gjerman. SPD do të zmbrapset nga kjo perspektivë, do të mendohet mirë, dhe përfundimisht do të pajohet, sepse Merkit ka një instrument të fuqishëm disiplinor: ajo mund të thërret për zgjedhje të reja, në të cilët ka shumë gjasa që CDU do të fitonte një shumicë absolute.

Një koalicion i gjerë nuk është opsioni më i keq. Asgjë nuk zbehët më shpejt se sa shkëlqeimi i një fitoreje zgjedhore, dhe idili gjerman do të pengohet shumë shpejt nga realiteti i ashpër – thëllimi i krizës së Bashkimit Europian, Siria, Irani dhe politikat për energjinë.

Nevoja për konsensus është veçanërisht e rëndësishme në lidhje me vendimet e vështira për Europën që e presin Gjermaninë. Greqia ka nevojë për më shumë lehtësime të borxhit. Një bashkim bankar Europian me borxhe të përbashkëta nuk mund të shtyhet më. E njëjta qëndron me shumë çështje të tjera. Një dimër pakënaqësie e pret Merkelin, që do të vijohet me një fushatë zgjedhore Europiane e cila mund të zbres më këmbë në tokë partinë CDU.

Por askush nuk duhet të pres një ndryshim të madh në politikat e BE-së së Merkelit apo në qasjen e saj ndaj politikave të jashtme dhe në çështjet e sigurisë. Qëndrimet e saj mbi këto çështje tashmë janë mbështetur nga një pjesë e madhe e elektoratit gjerman; dhe, në një moshë të caktuar, shumica e njerëzve – përfshirë ata në pozita të larta zyrtare – nuk ndryshojnë qëndrimet lehtësisht. Veç kësaj, në këto çështje, nuk ka më shumë dallime në mes të CDU’së së qendrës së djathtë dhe SPD’së së qendrës së majtë.

Një koalicion i gjerë mund të tregojë më shumë fleksibilitet në adresimin e krizës së euro’së, por më pak në lidhje më çështjet e politikave të jashtme apo të sigurisë. Megjithatë, lidhur më këto, Gjermania do të përfitonte shumë nga mundësitë për të hartuar politika të duhura të jashtme në kornizën e aleancës Perëndimore që në vitet e fundit ka pasur një zbrazëti të rrezikshme aty ku ishte Gjermania – edhe pse kjo është më shumë një shpresë e paqartë se sa një pritje konkrete.

Gjithashtu do të jetë interesant të shihet nëse dhe si Merkel do të tejkalojë Energiewende (kthesën energjetike) të turbulluar të Gjermanisë – kalimi në një ekonomi me karbon të ulët, i cili do të jetë edhe projekti më i rëndësishëm kombëtar në karierën e saj. Ajo ose do të ketë sukses me të, ose do të bëhet një turp monumental për Gjermaninë dhe një katastrofë për ekonominë gjermane. Pyetjet vendimtare tashmë janë nëse ajo të grumbullojë guximin për t’i përqendruar të gjithë përgjegjësitë e nevojshme për këtë projekt madhor në ministrinë e energjisë, dhe kë do të besojë me mbikëqyrjen e kësaj pune Herkuleane.

Redaktori i ndjerë i revistës javore Der Spiegel, Rudolf Augstein, i cili asnjëherë nuk pëlqei Ish Kancelarin Helmut Kohl, quajti opinionin e tij lidhur me ribashkimin gjerman “Urime, kancelar”! Për Merkel, zgjedhjet të dielën hapën një derë, sidomos në lidhje me tejkalimin e krizës së euro’së dhe me thellimin e integrimit Europian. Por, përderisa ajo nuk e kalon atë, unë do të përmbahem nga urimi për të.

 (Përktheu D.G.) 

Joschka Fischer, Ministër i Jashtëm dhe Zëvendëskryeministër i Gjermanisë nga vitet 1998 deri në 2005, ishte udhëheqës i Partisë së Gjelbër Gjermane për gati 20 vjet.

(Të drejtat autoriale: Project Syndicate/Institute for Human Sciences, 2013, 
www.project-syndicate.org. lajmi.net është anëtare e rrjetit të Project Syndicate.)