Merkel mbështet LDK-në në cilësinë e kryetares së CDU-së dhe anëtares së PPE-së

Kryetarja e Unionit Kristiandemokrat Gjerman (CDU), Angela Merkel, përmes një letre i ka dërguar një letër mbështetëse kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, me rastin e zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit.

Lajme

06/06/2014 17:48

Merkel e ka bërë këtë si kryetare e CDU-së, parti kjo anëtare e Partive Popullore të Evropës, por jo si kancelare e Gjermanisë.

Më poshtë mund të lexoni fjalën përshëndetëse të Kryetares së Unionit Kristiandemokrat Gjerman – CDU.

“I nderuar Kryetar Mustafa, të nderuar miq të LDK-së. Në emër të Unionit Kristiandemokrat Gjerman – CDU, ju dërgoj përshëndetje të përzemërta nga Berlini për manifestimin tuaj përmbyllës në prag të zgjedhjeve të 8 qershorit”.

“Zgjedhjet parlamentare që keni para vetes janë vendimtare për të ardhmen e Kosovës. Rruga e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe vendeve të reja të punës mund të arrihet vetëm me reforma të energjike. LDK e ka fuqinë për t\’i ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe për të kontribuar zhvillimin pozitiv të Kosovës”, ka thënë liderja e CDU-së, Merkel në letrën mbështetëse për LDK-në.

“Integrimi i Kosovës në bashkësinë e shteteve evropiane, është perspektiva e të ardhmes. LDK përfaqëson këtë perspektivë. Tani është shumë i rëndësishëm një dialog me qytetarët e Kosovës, për t\’i mobilizuar ata për këto zgjedhje udhërrëfyese parlamentare. Unë ju dëshiroj një rezultat të mirë në këto zgjedhje, dhe ju dëshiroj gjithë të mirat”, ka thënë liderja e CDU-së, Merkel në letrën mbështetëse për LDK-në, parti kjo po ashtu anëtare e Partive Popullore Evropiane (PPE).