Merkel e bën ministër kundërshtarin e zëshëm të saj

Kancelarja gjermane, Angela Merkel vendosi të emërojë ministër në qeverinë e ardhshme kundërshtarin e saj kryesor brenda partisë konservatore, me shpresën për të qetësuar revoltën në rritje të krahut të djathtë të lëvizjes, raportuan sot disa media.

Bota

25/02/2018 19:41

Jens Spahn, kreu i kundërshtarëve të kursit politik centrist të kancelares dhe mbështetës i një ndryshimi të qëndrimit më djathtas të kristian-demokratëve të CDU-së, duhet të marrë përsipër përgjegjësinë dhe të bëhet ministër i Shëndetësisë.

Angela Merkel e ka zgjidhur këtë çështje dhe do të njoftojë vendimin sot në mbrëmje pas një takimi të organeve drejtuese të partisë së saj, pohojnë të përditshmet ‘Bild’ dhe ”Süddeutsche Zeitung”, si dhe agjencia gjermane e lajmeve DPA.

Jens Spahn, 37 vjeç mbajti postin e sekretarit të Shtetit në qeverinë e mëparshme, në Ministrinë e Financave, përcjell REL.

Ai u dallua prej disa muajsh për kritikat ndaj politikës migratore bujare të Angela Merkel, që mbështeti ardhjen e më shumë se një milion azilkërkuesish në vend.

Ai propagandoi gjithashtu për një ndryshim konservator të orientimit të CDU-së, për çështjet që lidhen me identitetin, për të rifituar një pjesë të votuesve të larguar drejt ekstremit të djathtë të Alternativës për Gjermaninë (AfD).