Merkel: BE dëshiron të shmangë luftën tregtare

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se Bashkimi Evropian do të bëjë çdo përpjekje për të shmangur luftën tregtare me Shtetet e Bashkuara, porse edhe Uashingtoni duhet t'iu bashkohet këtyre përpjekjeve.

Bota

04/07/2018 17:00

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka vënë tarifa mbi importet e aluminit dhe çelikut nga BE-ja dhe është duke shqyrtuar vënien e të njëjtave edhe në makina dhe kamionë.

“Ia vlen çdo përpjekje për ta qetësuar këtë konflikt, në mënyrë që ai të mos shndërrohet në luftë të vërtetë. Natyrisht se përpjekje duhen bërë nga të dyja palët”, tha Merkel.

Sipas saj, funksionimi i mirë i ekonomisë botërore varet nga vendet që punojnë së bashku si partnerë.

Bashkimi Evropian, nga 1 korriku, ka vënë tarifa hakmarrëse mbi eksportet në SHBA.

Presidenti amerikan, Trump, ka thënë se tarifat që ka ndërmarrë ai, janë në interes të sigurisë kombëtare të SHBA-së.