Mercedes prezanton gjatë javës që vjen, konceptin e një makine të re elektrike (Foto)

Makinë më e fuqishme se Mercedes SLS E-Cell, që ka 740 kuajfuqi.

Auto & Tek

14/08/2018 19:51

Pebble Beach Car Show që fillon më 26 gusht, do të jetë organizimi ku shumë prodhues do t’i prezantojnë modelet e tyre të fundit, transmeton Telegrafi.

Gjatë dy ditëve të zhvillimit të panairit, pritet ta shohim BMW Z4 dhe hiper-makinën Divo nga Bugatti. Duke ditur që edhe Mercedes është i pranishëm, dihej që do të shihej një model i ri, ndërsa tani është konfirmuar se do të prezantohet një makinë elektrike.

Detajet mungojnë, por me anë të imazheve të shpërndara, shihet se kemi të bëjmë me një koncept mjaft futuristik. Ilustrimi e shfaqë një makinë, e cila nuk i përngjanë aspak ndonjërës që Mercedes e ka në prodhim.

Por, kjo makinë është bazuar në veturat që Mercedes i ka shfrytëzuar gjatë Grand Prix gjatë vitit 1930.

E vetmja gjë që dihet deri më tash, është emri Electric Silver Arrow Concept. Megjithatë, zyrtarët kanë thënë se do të jetë më e fuqishme se Mercedes SLS E-Cell, që prodhon 740 kuajfuqi.