Me projektin e Brezovicës hapen 3 mijë vende pune

Kosova gjatë vitit 2014 ka eksportuar 130 milionë euro mallra në rajonin e CEFTA-s.

Lajme

21/05/2015 19:50

Këto shifra i ka paraqitur sot ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, gjatë takimit Rajonal të Bordit Qeverisës të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal në Tiranë. Ajo ka thënë se Qeveria e Kosovës ka nënshkruar edhe një marrëveshje për privatizimin e Brezovicës, ku do të investohen 400 milionë euro dhe do të hapen 3 mijë vende të reja pune.

Ministrja Bajrami ka thënë se Kosova ka nisur edhe proceduarën për anëtarësim në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Sipas ministres Bajrami, eksporti i Kosovës në rajonin e CEFTA-s është shtuar për mbi 20 për qind në krahasim me vitin 2013.

Ajo ka shtuar se ka vazhduar dialogu me komunitetin e biznesit me qëllim të përmirësimit të lidhjeve në mes të nevojave të biznesit privat dhe sistemit arsimor. “Qeveria, po ashtu, me përkrahjen e donatorëve u ka ofruar grante bizneseve që gjenerojnë vende të reja pune dhe është në proces të themelimit të një skeme për garantim të kredive, për të lehtësuar qasjen e bizneseve në financa. Po ashtu, prezentova edhe projektet infrastrukturale në implementim e sipër, si ndërtimi i rrugës Prishtinë – Shkup, ndërtimi i termocentralit Kosova e Re, diversifikimi i burimeve energjetike (ngritja e kapaciteteve në hidroenergji, energji solare etj), si dhe progresin e arritur në reformën e Administratës Publike e cila ka për qëllim krijimin e një shërbimi civil profesional dhe efikas”, ka deklaruar Hykmete Bajrami.