Mendja e Gecajt thotë se Britania duhet të rrijë në BE

Si shtetas i Britanisë së Madhe që është, Bajram Gecaj zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, po shpreson se bashkë-shtetasit e tij, do të vendosin të qëndrojnë brenda Bashkimit Evropian.

Lajme

23/06/2016 14:10

Në referendumin që po mbahet në Mbretërinë e Bashkuar, të enjten qytetarët e këtij vendi po vendosin për fatin e shtetit të tyre në Evropë, mirëpo sipas Gecajt, shteti i dytë i tij, do të përfitonte më shumë ekonomikisht nëse do të zgjidhte qëndrimin në BE.

Në një intervistë të dhënë për Klankosova.tv, Gecaj shprehet se Britania do të bënte mirë të rrinte brenda këtij unioni politiko-ekonomik për shumë arsye.

“Dua të besoj dhe fuqishëm shpresoj se britanikët do të votojnë kundër daljes nga Bashkimi Evropian. Si shtetas britanik që jam, besoj shumë se interesi i qytetarëve britanikë është të qëndrojnë brenda bllokut të familjes evropiane, posaçërisht në një kohë të një avancimi të jashtëzakonshëm të proceseve globale, shumica e të cilave kërkojnë qasje të unifikuar të faktorit evropianoperëndimor”, ka konstatuar Gecaj.

“Gjithashtu, edhe pse nuk jam ekonomist me profesion, jam më se i bindur se edhe nga aspekti ekonomik, Britania e Madhe përfiton më shumë nga blloku se sa po të ishte jashtë tij”.

Edhe për Kosovën thotë Gecaj, qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar brenda Unionit Europian do të ishte shumë më mirë.

“Si qytetar i Republikës së Kosovës, besoj se një shtet mik i yni siç është Britania e Madhe është një aset dhe përkrahje e domosdoshme e jona brendapërbrenda Bashkimit Evropian. Pra nga të dy anët e medaljes sime (Kosovaro-Britanike), mendja më thotë së qëndrimi brenda bllokut evropian është versioni më i mirë”, thotë zëvendësministri kosovar.

Edhe pse anon pro qëndrimit të Britanisë në BE, ai prapë se prapë mendon se edhe dalja nga ky union, mund të argumentohet mirë.

“Në argumentet e euro-skeptikeve, posaçërisht atyre konservativë, ka gjithashtu mjaft të vërteta, por të cilat duhet shikuar në një rrafsh më të gjerë. Pra, është fakt i padiskutueshëm se Bashkimi Evropian ka ndërtuar një burokraci e cila shpesh dëmton interesat e shteteve pjesëmarrëse, dhe se gjithashtu ka infiltruar thellë edhe në elemente të rëndësishme të sovranitetit shtetëror”, ka deklaruar Gecaj.

Mirëpo ai thotë se arsyet që grupet pro-qëndrimit i kanë dhënë deri më tash, janë shumë më valide, sepse sipas tyre, nga dalja do të humbte Britania.

“Argumentet pro-qëndrimit brenda bllokut janë shumë më të qëndrueshme dhe më reale, posaçërisht fakti se një ishull i izoluar nga bashkimi evropian do të humbte shumë nga ndikimi në rrjedhat dhe ndikimet në politikat globale, por edhe do të dëmtohej seriozisht në elementet e zhvillimit ekonomik; kjo posaçërisht kur një thirrje e tillë vije edhe nga ekonomistët më prominent në Britaninë e Madhe”.

Në vazhdën e lutjeve që shtetet e tjera i kanë bërë Britanisë së Madhe, që të vazhdojë të jetë pjesë e BE-së, Gecaj përmend disa nga to.

“E rëndësisë së veçantë është gjithashtu edhe fakti se një thirrje për qëndrim brenda bllokut britanikëve u vije edhe nga liderët e shteteve mike të Britanisë së Madhe siç janë SHBA-të e Gjermania, por edhe konkurrentëve dashamirës siç është Kina”.

Ai shpreson e beson, se vendimi i qytetarëve të Britanisë, do të jetë i njëjtë sikurse vendimi që ata morën në referendumin e parë në vitin 1975, pasi që ky referendum është i dyti me radhë, sepse i pari qe organizuar nga kryeministri Harold Ëilson.

“Në vitin 1975 britanikët votuan pro-Bashkimit Evropian me mbi 67 përqind, dhe unë dua të besoj dhe shpresoj se diçka e tillë do të përsëritet, edhe pse anketat sugjerojnë një margjinë shumë të ngushtë në mes të dy kampeve”.

Ndër të tjerash, Gecaj vë theksin edhe mbi vdekjen e deputetes së Parlamentit Britanik, Joe Cox të cilën e cilëson si “heroinë tragjike të këtij procesi” dhe i shpreh ngushëllime Qeverisë dhe popullit britanik, për humbjen e saj.

Qytetarët e Britanisë së Madhe, të enjten do të vendosin nëse do të rrinë apo do të largohen nga Bashkimi Europian. Tashmë katër muaj partitë politike atje, po bëjnë fushatë, secila sipas qëndrimeve të veta, për t’i bindur të dalin ose të rrinë. Në këtë referendum shumë të rëndësishëm për britanikët, mund të votojnë rreth 46 milionë qytetarë.

Vendimi i këtij shteti për t’i dhënë fund anëtarësisë në Bashkimin Europian, mund të vijë pas 40 vjetësh të qenit pjesë e këtij unioni.

Kryeministri David Cameron, Jeremy Corbyn dhe Tim Farron, u kanë britanikëve që në referendumin e së enjtes, që votojnë pro qëndrimit në BE, ndërsa euro-skeptikët, Boris Johnson dhe Nigel Farage u kanë bërë thirrje përkrahësve të vetë që të largohen nga Unioni Europian dhe që të “besojnë në vendin e tyre”.