Menaxheri i ‘Swiss Diamond’ përzgjidhet drejtor i Bordit në Ndërmarrjen komunale ku aksionar është Selim Pacolli

Ditë më parë janë emëruar anëtarët e bordit të Ndërmarrjes Publike të Komunës së Prishtinës “Sport Marketing” SH.A. Edhe në këtë përzgjedhje duket të ketë pasur interferime politike.

Lajme

23/08/2018 11:37

Ndërmarrjet Publike në Komunën e Prishtinës kanë nisur të ndahen në mes të partnerëve të koalicionit.

Fatmir Bekolli, Mustafë Bërbatovci, Zena Pacolli dhe Nexhat Peci janë katër anëtarët e Bordit që u përzgjodhën të premten nga Komisioni Komunal i Aksionarëve i Komunës së Prishtinës për Ndërmarrjen “Sport Marketing”.

Lajmi.net ka mësuar se i përzgjedhuri, Fatmir Bekolli është menaxher i departamentit për Financa në Swiss Diamond Hotel Prishtina, biznes në të cilin deri para pak ditësh ishte menaxher kryesorë nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli, por është tërhequr për të shmangur konfliktin e interesit meqë hynë në listën e zyrtarëve të lartë publik.

Rrjedhimisht, meqë Bekolli i ka raportuar Pacollit tek hoteli, tash do t’i raportojë tek ndërmarrja.

Komisioni komunal i Aksionarëve që ka bërë përzgjedhjen e këtyre kandidatëve ka qenë në përbërje të dy asamblistëve, Adelina Fazliji nga AKR-ja, Besnik Mujeci nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nënkryetari, Selim Pacolli.

Ndonëse, nënshkrimi i tij gjendet tek vendimi për përzgjedhjen e kandidateve, nënkryetari Pacolli ka thënë se nuk ka qenë pjesë e përzgjedhjes se kandidatëve dhe se nuk e di kush është përzgjedhur.

“Pyetni dy aksionarë se unë nuk kam lidhje më këtë punë. Nuk jam në pozitë me zgjedh anëtar të Bordit. Nuk kam qenë kur janë përzgjedh ata”, tha Pacolli për lajmi.net.

Ndërkaq, asambleistja e AKR-së, Adelina Fazliji që është anëtare e Komisionit të Aksionarëve për “Sport Marketing”, tha se janë përzgjedhur kandidatët më të mirë.

“Numri i aplikuesëve ka qenë bukur i madh. Ne i kemi përzgjedhur për intervistë. I kemi përzgjedhur ata që kanë qenë më të përgatitur”, tha Fazliji.

Lidhur më pikët maksimale për menaxherin e Swiss Diamond Hotel Prishtina, Fazliji ka thënë se Selim Pacolli nuk ka qenë pjesë e përzgjedhjes.

“Selimi nuk ka qenë pjesë e stafit përzgjedhës. Kemi qenë unë e Besniku dhe stafi profesional i Komunës dhe klasifikimi është bërë në bazë të intervistimit të kandidatëve. Nuk ka pasur asnjë interferim nga askush. Ne jemi të gatshëm që ta dëshmojmë këtë. Ndërsa, Zena Pacolli është njëri nder personat që e meriton më së shumti me qenë pjesë e ndërmarrjes dhe nuk ka lidhje familjare me nënkryetarin Pacolli”, tha Fazliji për lajmi.net.

Mandati i anëtareve të Bordit të drejtorëve është 3 vjeçar. Bordi i drejtorëve i raporton Komisionit të aksionarëve. Vetë nënkryetari Pacilli e kishte pranuar në një intervistë për një medium se kishin renë dakord me kryetarin Shpend Ahmeti që AKR të udhëheqë me “Sport Marketingu” SH.A. /Lajmi.net/