Meksika ndalon seksin

Selektori i Meksikës, Miguel Herrera u ka ndaluar futbollistëve të tij të kenë marrëdhënie seksuale gjatë Kampionatit botëror në Brazil. Ai thotë se kush nuk mund të qëndrojë një muaj pa seks, nuk është futbollist profesionist.

Sport

22/05/2014 22:32

Selektori i Meksikës, Miguel Herrera ka vendosur t’ua parandalojë futbollistëve të tij marrëdhëniet seksuale, gjatë Kampionatit botëror në Brazil, muajin e ardhshëm.

Herrera theksoi se skuadra e tij mund t’i përdorë rrjetet sociale si Facebook dhe Twitter për sa të donë, por nuk guxojnë të bëjnë seks.

“Jo, askush”, deklaroi Herrera për gazetën Reforma.

“Nëse një futbollist nuk mund të shkojë një muaj ose 20 ditë pa kryer marrëdhënie seksuale, atëherë ata nuk janë të përgatitur për të qenë futbollist profesionist”, shtoi ai.

“Të gjithë futbollistët që kemi përzgjedhur kanë një epitet të mirë, ata të gjithë kanë arritur gjëra të mëdha, ata kanë qenë kampionë, dhe pa dyshim, ata e dinë se çka duan të arrijnë”, theksoi Herrera.

Strategu i Meksikës tha se ndalesa ka të bëjë me eliminimin e shpërqendrimeve gjatë  garës në Brazil, ku sipas tij, çdo gabim mund të kushtojë shtrenjtë.

Meksika do të luajë në Grupin A së bashku me Brazilin, Kroacinë dhe Kamerunin.